Mbretërim i vdekjes dhe mjerimit: Gaza e rrethuar, pa ujë dhe pa drita, spitalet po kthehen në morg

Spitalet në Gaza rrezikojnë të kthehen në morgje pasi humbasin energjinë, ka paralajmëruar Kryqi i Kuq.

Stacioni i vetëm i energjisë në Rripin e Gazës ndaloi së punuari të mërkurën për shkak të mungesës së karburantit. Kjo do të thotë që Gaza – duke përfshirë spitalet – po mbështetet në gjeneratorë, të cilët nga ana tjetër kanë nevojë për furnizime karburanti.

Pjesa më e madhe e furnizimit me energji elektrike të Gazës vinte nga Izraeli, i cili ndërpreu energjinë në zonë pas sulmit të Hamasit.

“Mjerimi njerëzor i shkaktuar nga ky përshkallëzim është i madh dhe unë u bëj thirrje palëve të zvogëlojnë vuajtjet e civilëve,” thotë drejtori rajonal i KNKK-së për Lindjen e Afërt dhe të Mesme, Fabrizio Carboni.

“Ndërsa Gaza humbet energjinë, spitalet humbasin energjinë, duke vënë në rrezik të porsalindurit në inkubatorë dhe pacientët e moshuar me oksigjen. Dializa e veshkave ndalon dhe rrezet X nuk mund të merren,” shton ai.

Carboni gjithashtu ndan frikën e tij për izraelitët e marrë peng nga militantët e Hamasit – duke bërë thirrje për lirimin e tyre të menjëhershëm.

Gaza, një burg në qiell të hapur: Nuk ke ku ikën askund

Të martën, ushtria izraelite u tha njerëzve në Gaza: “Kalimi i Rafahut [i kontrolluar nga Egjipti] është ende i hapur. Kushdo që mund të dalë, do t’i këshilloja të dilte jashtë.”

Por, tani për tani, dalja nga Gaza është e pamundur.

Kufiri mes Izraelit dhe Gazës është i mbyllur.

Marina e Izraelite kontrollon vijën bregdetare, kështu që largimi me varkë nuk është një opsion.

Dhe pastaj është kalimi Rafah në Egjipt. Kjo është e vetmja rrugëdalje. Megjithatë, dalja është e mundur vetëm me leje dhe ka një listë të gjatë pritjeje.

Këtë javë, është akoma më e vështirë të largohesh.

Vendkalimi u godit nga sulmet ajrore izraelite të martën. Pas këshillës fillestare, ushtria izraelite pranoi se kalimi ishte mbyllur nga Egjipti.

Që atëherë, kalimi i Rafahut ka qenë ose i mbyllur ose shumë i kufizuar.

Për momentin, palestinezët nuk kanë pothuajse asnjë mënyrë për të lënë Gazën.

“Nuk ka ujë, energji dhe karburant pa liruar pengjet”

Ministri i Energjisë i Izraelit, Israel Katz, thA se rrethimi i Gazës nuk do të përfundojë derisa pengjet izraelite të lirohen.

Në një postim në mediat sociale, Israel Katz tha se asnjë “çelës nuk do të ndizet, asnjë hidrant uji nuk do të hapet dhe asnjë kamion me karburant nuk do të hyjë” derisa “të rrëmbyerit” të lirohen.

Izraeli ndaloi furnizimet për Rripin e Gazës pas sulmeve të Hamasit të shtunën.

Sa shanse ka që të lirohen pengje izraelite?

Katari, Egjipti dhe ndoshta vende të tjera besohet se po përpiqen të negociojnë në prapaskenë një lirim të pjesshëm të pengjeve që mbahen në Gaza.

Një ide që po diskutohet është që Hamasi të lirojë gra dhe fëmijë të burgosur në këmbim të 36 të burgosurve palestinezë që mbahen në burgjet izraelite.

Por me tensionet dhe zemërimin e lartë nga të dyja palët, as Izraeli dhe as Hamasi nuk janë të gatshëm për kompromis apo lëshime.

Izraelitët janë të tronditur dhe të indinjuar që personat e armatosur ishin në gjendje të depërtonin kufirin e tyre jugor kaq lehtë dhe më pas të vrisnin të paktën 1200 njerëz.

Palestinezët, dhe jo vetëm Hamasi, janë përballë 2000 sulmeve ajrore izraelite në Gaza që kanë vrarë më shumë se 1000 njerëz që nga e shtuna. Gazës i është ndërprerë karburanti, energjia elektrike, uji dhe ilaçet.

Hamasi ka kërcënuar se do të “ekzekutojë” një peng për çdo herë që një sulm ajror izraelit vret civilë pa paralajmërim. Nuk ka asnjë provë që ata e kanë bërë këtë ende.

Në të njëjtën kohë, ka pak shenja të përmbajtjes nga Izraeli. Pjesë të mëdha të Gazës po shndërrohen qëllimisht në gërmadha.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme