Zyrtari i lartë i BDI’së në Maqedoni kërkon të luftohet lëvizja e Gülenit

Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës në Maqedoni, Behixhudin Shehabi, në lidhje me tentativën e pasuksesshme për grusht shteti në Turqi, ka thënë se “Maqedonia e ka për borxh lojaliteti që të luftojë kundër FETO-s”, lëvizjes së klerikut Fethullah Gülen.

“Jam dëshmitar se Turqia është një shtet që Maqedonisë ia zgjat dorën e miqësisë pa kushte. Kjo mori një dimension dhe formë tjetër në mënyrë të shpejtë veçanërisht me qeverinë e AK Partisë”, ka thënë Shehabi, zyrar i lartë i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), për Anadolu Agency.

Shehabi ka thënë se duke u bazuar në pranimin e fajit nga personat e arrestuar, është e qartë se pas tentativës për grusht shteti më 15 korrik në Turqi qëndron FETO.

Duke theksuar kolegjet që kanë lidhje me FETO-n zhvillojnë aktivitet edhe në Maqedoni, Shehabi tha se edhe këto institucione arsimore janë prodhim i kësaj mendësie dhe se fusha në të cilën FETO është aktive është fusha e arsimit.

Në lidhje me masat që duhen marrë nga ana e qeverisë së Maqedonisë, Shehabi u shpreh se “Dihet se këto kolegje funksionojnë sipas ligjeve aktuale të Maqedonisë, megjithatë, Maqedonia duhet t’i shqyrtojë aktivitetet e këtyre kolegjeve duke u bazuar në të dhënat që do t’i marrë nga vendi mik, Republika e Turqisë. Inspektorët financiarë dhe arsimorë, që punojnë në kuadër të autoriteteve zyrtare të Republikës së Maqedonisë, duhet t’ia fillojnë detyrës. Posaçërisht, për t’i analizuar fushat e aktivitetit të këtyre kolegjeve, duhet filluar me punën për të parë nëse këto ligje shpërfillen apo keqpërdoren.”

Shehabi theksoi se Maqedonia ndjek nga afër gjendjen e cila mbizotëron në Turqi. Ai beson që hapat, masat dhe punimet e mëtutjeshme të Maqedonisë në këtë drejtim do të zbatohen së shpejti.

“Sa i përket daljes në dritë të të vërtetave dhe marrjes së masave të nevojshme, edhe mbi ne bie një detyrë e madhe për vazhdimësinë dhe integritetin e palëkundshëm të Republikës së Turqisë dhe për mbrojtjen e demokracisë”, deklaroi Shehabi, duke tërhequr vëmendjen drejt rëndësisë së pranimit dhe analizimit me kujdes të madh të të dhënave që do të sigurohen nga autoritetet zyrtare të Republikës së Turqisë dhe marrjes së masave të nevojshme. Sipas tij, në shenjë kundërshtimi ndaj organizatave që janë infiltruar në shtet siç është FETO, populli i Ballkanit si komunitet mik i Turqisë duhet të jetë deri në fund në anën e Turqisë dhe ta mbështesë atë deri sa kjo gjendje të dalë në shesh tërësisht.

Duke treguar se institucionet që kanë lidhje me FETO-n janë aktive në Maqedoni, Shehabi tha se “Do të dalin në dritë të vërteta të cilat nuk i kemi paramenduar, sepse fatkeqësisht është e mundur që Ballkani të jetë shfrytëzuar si një seli e tyre.”

Sipas tij, institucionet aktuale në Maqedoni që kanë lidhje me FETO-n zhvillojnë aktivitete në fusha të ndryshme. “Edhe inspektorët e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ministrisë së Arsimit të Maqedonisë duhet në mënyrë të shpejtë t’i kryejnë detyrat që u takojnë”, u shpreh Shehabi. Në lidhje me mendimin e qeverisë maqedonase për FETO-n, ai vlerësoi se “Ne e themi këtë haptazi: Strukturat paralele të infiltruara brenda strukturave shtetërore, nuk janë të rrezikshme vetëm për Turqinë, por për të gjitha shtetet e botës. Këto struktura mund të shkaktojnë probleme për të gjitha shtetet në të cilat zhvillojnë aktivitete.”

“Maqedonia absolutisht duhet të qëndrojë kundër atyre që ishin prapa tentativës për grusht shteti në Turqi, kundër atyre që e motivuan atë, si dhe kundër përkrahësve dhe simpatizantëve të saj. Nëse në Maqedoni ende tolerohen këta persona edhe krahas kësaj gjendjeje, atëherë, sipas meje, kjo me të vërtetë është ofendim në emër të njerëzimit”, shtoi Shehabi, duke tërhequr vëmendjen se ky është hap i parë dhe më i rëndësishëm që duhet të hidhet.

Në lidhje me atë nëse ekzistojnë persona, diplomatë apo politikanë në qeverinë e Maqedonisë, partitë politike ose pozita të tjera të shtetit, që kanë lidhje apo janë të afërt me FETO-n, Shehabi theksoi se “Nuk di me emra, por e dime qartë se një grup që ka ardhur nga Turqia me vite të tëra ofrojnë mbështetje financiare dhe shpirtërore për anëtarët e FETO-s.” Ndërkaq, duke theksuar se pas hulumtimeve dhe analizave të nevojshme këto persona patjetër do të zbulohen, Shehabi u shpreh se “Bëhet fjalë bamirësi, mbështetje dhe ndihma pa fatura, ndërsa inspektorët do t’i nxjerrin në shesh këto.”

“Natyrisht, ata janë të pranishëm, nuk mund të themi se nuk janë, mirëpo për momentin nuk kam prova të mjaftueshme për të vlerësuar nëse bëhet fjalë për këtë apo atë. Sigurisht, këto prova do të dalin në shesh pas hetimeve të nevojshme të autoriteteve shtetërore të Maqedonisë”, tha Shehabi, duke vazhduar se qëllimi i infiltrimit të organizatës në mekanizmat shtetërore është të zhvillojnë aktivitete të rehatshme në vendet ku janë të pranishëm.

Po ashtu, Shehabi tha se në Maqedoni ka më pak persona të afërt me FETO-n apo që kanë lidhje me të në krahasim me shtetet e tjera të rajonit. “Arsyeja e kësaj është se mendësia e shoqërisë civile në Maqedoni është shumë e fuqishme. Kjo, nga ana tjetër, ka parandaluar që FETO të infiltrohet shumë në shtet, duke e bërë të pamundur një mjedis të rehatshëm për ta”, konkludoi Shehabi.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme