Protesta kundër qeverisë në Izrael, familjarët e pengjeve: Mos vrisni fëmijë në Gaza

Si çdo të shtunë në Tel Aviv, për 39 javët e fundit, aktivistët politikë kanë protestuar sërish kundër qeverisë, këtë herë përpara Ministrisë së Mbrojtjes.

Në fundjavën e parë që nga sulmi i Hamasit, ata u mblodhën për të mbështetur familjarët e pengjeve dhe për të kërkuar lirimin e tyre.

“Kjo është vajza ime, Liri Elbag. Ajo u rrëmbye teksa flinte, në orët e para të mëngjesit. Dua që të kthehet. Ajo është ushtarake dhe ndodhej në bazë, por është vetëm 18 vjeç, një fëmijë dhe nuk do që të luftojë. Askush nuk do luftë. Besoj se edhe në Gaza nuk duan, por duan që të jetojnë”, thotë Shira Elbag, nënë e një vajze.

Të paktën 150 persona u morën peng nga agresorët. Hamasi deklaron se mbi 20 prej tyre mbetën të vrarë në sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës.

Bashkëshortja dhe 2 fëmijët e Avihait u rrëmbyen në shtëpinë e tyre pranë kufirit me Gazën. Që prej atëherë, ai nuk di asgjë për fatin e tyre dhe i nisi grumbullimet për t’i përcjellë një mesazh botës.

“Ka një arsye përse është bërë. Dikush po përpiqet të na thotë diçka. Dua të besoj se ajo është se njerëzit duan paqe, jo luftë. Jemi të gjithë njerëz, askush nuk do fëmijë të vdekur”, shprehet ai.

“Pasojat e veprimeve të tyre, me aktet çnjerëzore ndaj banorëve të Gazës dhe gjithë palestinezëve, në fund do të bien mbi Izraelin. Të jesh kundër Hamasit nuk do të thotë se duhet të vrasim fëmijë në Gaza”, thotë Chitayat Kashi, aktivist.

Ka shumë emocion mes familjeve që kërkojnë lirimin e njerëzve të tyre që u morën peng, por të gjithë njerëzit me të cilët kemi folur sot kërkojnë gjithashtu që politikat që sipas tyre shkaktuan atë që ndodhi të marrin fund.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme