Në Shqipëri është mbajtur një tubim në mbështetje të Palestinës dhe popullit palestinez dhe për dënimin e krimeve të luftës, duke u dënuar sulmet e Izraelit ndaj palestinezëve, raporton Anadolu.
Tubimi është organizuar në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, me thirrjen e Forumit Musliman të Shqipërisë dhe me mbështetjen e aktivistëve dhe përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarëve.
Me flamujt e Shqipërisë dhe Palestinës në duar, pjesëmarrësit mbanin pankartat me mbishkrimet “Ndalo gjenocidin në Gaza”, “Liri Palestinës”, “Ndalo bombardimin në Gaza”, “Stop vrasjen e fëmijëve”, “Të ndalohet rrethimi i Gazës”, “Ndalo krimet e luftës së Izraelit në Gaza”, “Të aplikohet zgjidhja me dy shtete” dhe “Stop vrasja e fëmijëve”.
Në deklaratën e lexuar nga përfaqësuesit e Forumit Musliman të Shqipërisë u theksua se forumi ka përcjellë me dhimbje të thellë konfliktin e fundit izraelito-palestinez, që “kulmoi me shpërthimin e një rakete në spitalin Baptist Al-Ahli në Gaza, ku mbetën të vrarë qindra pacientë e civilë të pambrojtur”.
“Është tashmë e ditur se rrënjët e këtij konflikti me pasoja tragjike qëndrojnë në krijimin e paligjshëm e të dhunshëm të Shtetit Izraelit në trojet ku populli palestinez ka jetuar që nga thellësitë e shekujve. Që nga ajo kohë ky shtet ka ndjekur një politikë të egër dëbimi ndaj popullsisë autoktone, si rezultat i së cilës shumica e popullit palestinez ka qenë e detyruar të jetojë si refugjatë në Liban, Jordani e gjetkë”, thuhet në deklaratë.
Më tej, në deklaratë theksohet se aktet makabre dhe naziste të “shtetit cionist kanë ngjallur reagime të shumta të opinionit publik ndërkombëtar”. Gjithashtu u theksua se “Organizata e Kombeve të Bashkuara ka miratuar 375 rezoluta në mbështetje të popullit të martirizuar palestinez dhe e ka dënuar ashpër shtypjen izraelite”.
“Në raportin e saj të shkurtit 2022, Amnesty International përcaktoi se si forcat izraelite kanë kryer në Gaza (si dhe në Bregun Perëndimor dhe Izrael) akte të ndaluara nga Statuti i Romës dhe Konventa e Aparteidit, si pjesë e një sulmi të gjerë dhe sistematik kundër popullsisë civile me synimin për të ruajtur një sistem shtypjeje dhe dominimi mbi palestinezët, duke përbërë kështu krimin kundër njerëzimit të aparteidit”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.
Gjithashtu në tubim u theksua se Komuniteti Musliman i Shqipërisë, “i pushtuar nga sekti gylenist terrorist, me paturpësinë që i karakterizon, nuk ka reaguar aspak dhe nuk e ka dënuar dhunimin e vendeve e shenjta islame”.
Duke u vlerësuar se të gjithë duhet të vlerësojnë dhe falënderojnë edhe Türkiyen, si një ndër shtetet që kanë kontribuar më së shumti për paqen në rajon, ndër të tjera u theksua se, “Türkiye ka bërë përpjekje të rëndësishme në lidhje me përfundimin e konflikteve dhe gjetjen e zgjidhjes së një paqeje të qëndrueshme dhe qëndrimi i zyrtarëve turq ndaj të drejtave të njeriut dhe paqes janë të një rëndësie të madhe për stabilitetin në rajon”.
Gjithashtu thuhet se Forumi Musliman i Shqipërisë i bën apel faktorit ndërkombëtar që ta detyrojë Izraelin të përmbahet nga qëllimet e tij të shpallura për agresion kundër Gazës, që do të rezultonte me një “katastrofë humanitare me pasoja tragjike”.