Rrëfimi i farkëtarit të fundit të Çarshisë së Vjetër të Shkupit

Gazetar: Avni Tahiri

Dyqanet artizanale të çarshisë së vjetër të Shkupit janë në prag të mbylljes. Interesimi ka rënë si për zanatet ashtu edhe blerësit numërohen në gishta.

Këto zëra dikur i jepnin jetë çarshisë së Shkupit, por sot rrallë dëgjohen zëra të tillë nga puna e zejtarëve të cilët thuajse janë në prag të mbylljes së atyre pak dyqaneve artizanale që kanë mbetur.

Në dyqanin e Nehatit i cili është edhe farkëtari i fundit që ka trashëguar zanatin në familjen e tij, takuam Imerin, një qytetarë i cili kujton kohën kur kjo rrugicë e Çarshisë së Shkupit ishte përplot gjallëri.

“Para 50 viteve ndryshe ka qenë këtu, tani nuk ka punë, zanatli nuk ka, i vetmi ky ka mbetur dhe një tjetër këtu që punojnë. Kjo lagje ka shumë histori, por tani ka ndryshuar shumë. A duhet të mbahen gjallë këto zanate? Po duhet, ka nevojë, këto zanate, kapuçat, janë gjëra të vjetra dhe patjetër me i mbajt. Ja këtë e kam sjellë. E ke pru për qejf që të heqësh mallin e kohës?! Po, si përpara”, u shpreh Imer Iseni – Qytetar.

Babai i Nehatit, Ibrahim Zekiri, kujton kohërat e mira kur kishte edhe blerës të shumtë në dyqanin e tij, e që sot janë shumë të rrallë.

“E mira shkoi, gjithçka që ishte e mirë shkoi, në këtë rrugë të gjithë ishin farkëtarë dhe mbetëm vetëm unë dhe djali im. Nëse një farkëtarë nuk ka dy persona ai nuk është farkëtarë, duhet dikush të ndihmoje, por vetëm, ky zanat është i rëndë. Sikur të kishim dashuri të bëjmë çdo punë dhe për këtë ja unë kam 72 vite, kam dashuri ndaj zanatit por tragjike është në këtë kohë të vdesin zanatet”, tha Ibrahim Zekir – Farkëtar.

Nehati është trashëgimtari i fundit i këtij zanati pasi fëmijët e tij kanë zgjedhur profesione të tjera.

“Kemi shumë shpenzime, shpenzimet e shtëpisë e nga ana tjetër nuk mund t’ia dalim, vërtet s’mund t’ia dalim, por ajo është, s’kemi ç’të bëjmë. Por me zanatin tënd i ke shkolluar edhe fëmijët?! Po, Po. Më herët kishte punë por tani jo, tani vetëm të mbijetojmë. A keni pasur ditë që të vish dhe të mos kesh farë punë. Po, po vjen punon që të mos rrish kotë”, tha Nehat Zekir – Farkëtar.

Nehati pasi përfundoi punën e duhur, Imeri mori sëpatën dhe kjo ishte shitja e parë për atë ditë që e mban të gjallë këtë dyqan. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme