Gazetar: Adnan Qaili
U rrit, dhe u shkollua në vendlindje! Por kjo nuk mjaftoi që të vazhdoj jetën këtu. Në të njëzetat e saj, Dorina Ajdini vendosi të zhvendoset për të jetuar dhe punuar në Gjermani. Ajo tashmë ka rregulluar dokumentet e qëndrimit të përhershëm pasi ka gjetur një punë prestigjioze atje. Dorina po bën gati valixhen për tu nisur drejt aeroportit me biletë një drejtimeshe, duke theksuar se shkaqet kryesore të largimit nuk janë vetëm pagat, por edhe cilësia e jetesës.
“Tash më nuk është problemi vetëm te gjendja financiare, të rinjtë nuk ikin për atë se ndoshta më parë ka qenë ajo që nuk janë pagat mjaft të larta dhe do ikin në Evropë apo kudo jashtë vendit për pagë më të lartë! Tash më të rinjtë ikin për mënyrën e jetesës për kualitetin e jetës që i ofrojnë vendet e jashtme. Dhe kjo është arsyeja përse unë ikë nga Maqedonia e Veriut, cilësia e jetesës që më ofrohet atje është shumë më i lartë në krahasim me vendlindjen time”, u shpreh Dorina Ajdini, qytetare.
Ekspertët kanë një shpjegim! Duke renditur shkaqet për braktisjen masive të të rinjve, Branimir Jovanoviq, i cili edhe vet vepron jashtë tha se shqetësuese janë shifrat e kuadrove të kualifikuar, për të cilët shteti shpenzon resurse për t’i shkolluar dhe ata përgatiten për një treg të jashtëm të punës.
“Konkretisht çfarë i përzë të rinjtë nga vendi, së pari janë faktorët ekonomik, përkatësisht pagat e ulëta, kushtet e këqija në vende të punës dhe mungesa e të drejtave të punëtorëve. Së dyti, janë faktorët social dhe cilësia e jetesës, shëndetësia, arsimi dhe ndotja e ajrit. Gjitha rrethanat tjera që nuk janë të lidhura me pagat. Faktori kryesor është situata politike në vend, disa edhe pse kanë kushte për arsim, shëndetësi private sërish nuk rrinë këtu ngaqë situata politike ka vështirësuar edhe raportet ndër njerëzore në vend”, deklaroi Branimiri Jovanoviq, analist ekonomik.
Eksploatimi i fuqisë punëtore nga vendet e zhvilluara, ka bërë që të ketë mungesë të madhe në tregun e brendshëm të punës. Ajo që ju pengon të rinjve është edhe korrupsioni i lartë, ku për çdo gjë që ju takon ligjërisht qytetarëve duhet ose të intervenohet me lidhje miqësore ose të jepet ryshfet.
“Gjithmonë kur kthehem në Maqedoni pasi të kem lëvizur ose pasi të kem bërë një shëtitje të vogël diku jashtë, gjithmonë nervozohem. Pikësëpari sa të hy në Maqedoni me acarojnë njerëzit me kulturën e tyre që shfaqin dhe jo edukatën e tyre, duke u nisur nga rrëmuja veturave dhe papastërtia që shohim nëpër rrugë, këto janë gjëra të vogla por të pengojnë në përditshmëri”, theksoi Dorina Ajdini, qytetare.
Raporti zyrtar thekson se nga viti 2011 deri në vitin 2019, 700 mijë qytetarë të Maqedonisë janë larguar nga vendi. Tendencat aktuale tregojnë se një numër i madh i qytetarëve po largohen aktualisht dhe parashikimet janë që ky numër të rritet në të ardhmen. /Alsat.mk