Nëse sulmet izraelite në Rripin e Gazës vazhdojnë tutje, atëherë ato do të kërcënonin stabilitetin dhe paqen globale, tha sot ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, raporton Anadolu.
Türkiye nuk do të lejojë kurrë që vuajtjet e palestinezëve të vazhdojnë, shtoi ai.
“Nëse (sulmet izraelite) vazhdojnë, ato do të kërcënonin gjithë stabilitetin dhe paqen globale me një përshkallëzim gjeografik”, tha kryediplomati turk.
Samiti i Paqes në Kajro filloi me pjesëmarrje ndërkombëtare, arabe dhe të OKB-së për të diskutuar zhvillimet e fundit në konfliktin midis Izraelit dhe Palestinës.
Sipas medias së Egjiptit, të paktën 31 vende dhe tri organizata ndërkombëtare kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në Samitin e Paqes në Kajro.
Konflikti në Gaza, nën bombardimet dhe bllokadën izraelite që nga 7 tetori, filloi kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksasë” – një sulm i befasishëm i shumanshëm me lëshime raketash dhe infiltrimesh në Izrael nga toka, deti dhe ajri.
Hamasi tha se inkursioni ishte në hakmarrje për sulmet ndaj Xhamisë Al-Aksa dhe dhunës në rritje nga kolonët izraelitë.
Ushtria izraelite më pas nisi operacionin “Shpatat e Hekurta” në Rripin e Gazës, duke i vënë 2,3 milionë banorët e territorit nën një rrethim total dhe një bllokadë nga ushqimi, karburanti dhe furnizimet mjekësore.