Ministrat, të padisiplinuar para deputetëve

Gazetare: Fatlume Dervishi

Pothuajse gjysma e ministrave shmangën detyrimin ligjor dhe nuk u paraqitën personalisht në seancën për pyetjet e deputetëve në Kuvend dhe as nuk deleguan zv/ministrat në vend të tyre. Si pasojë, shumë nga pyetjet e deputetëve mbeten pa përgjigje.

Seanca u shoqërua me përplasje, përgjigje ironike dhe akuza. Gordana Siljanovska Davkova kërkoi sqarim nga zv/kryeministri i parë Artan Grubi, për thirrjet e tij për punësimet në Behtel-Enka për ndërtimin e Korridorit 8. Grubi me ironi, tha se gjëra të tilla kanë bërë edhe ish ministrat e VMRO-së.

“Fenomen interesant është vetë ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënieve mes Bashkësive. Pse? Sepse në këtë Kuvend ekziston një trup që është pandan i ministrisë së tij “Komisioni për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive” por në të nuk ka arritur as edhe një ligj nga kjo ministri dhe as nuk është paraqitur zv/kryeministri i parë. Por e shohim se si dërgon thirrje për punësim për një firmë private të huaj “Behtel dhe Enka”. Ministri nuk mund të sillet si menaxher dhe as si zëdhënës, veçanërisht jo me paratë e qytetarëve ose taksapaguesve”, deklaroi Gordana Siljanovska Davkova, deputete e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit.

“Mbajë mend në të kaluarën në tre qeveritë e VMRO-së, nga 2006 deri 2017, gjatë secilit investim të huaj, kryeministri i atëhershëm ose ministri i Financave njoftonin se janë hap aq vende pune, u bënin thirrje qytetarëve të punësohen në ato kompani… Si quhet deputetja? Është lajm i rrejshëm. Nuk është paguar. Të dhënat janë publike mund t’i shihni te “Rrugët shtetërore”, edhe në Ministrinë e Transportit, edhe në Qeveri, asnjë penal s’është paguar. Vërtetë ju kam lakmi. Dua edhe unë një parti të tillë politike ku verbërisht do të besohet në udhëzimet e partisë. Profesoreshë më vjen shumë keq. Ndoshta kjo është arsyeja, meqë ju nuk jeni anëtare e partisë dhe nuk i dini qëndrimet e partisë që u ka zgjedhur, që u kandidoi për president dhe shpresoj t’ju kandidojë përsëri”, u shpreh Artan Grubi, ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive.

“Z. Grubi, ju keni qenë me ish kryeministrin atëherë në një qeveri. A i parashtroni pyetje vetes? Unë nuk kam qenë. E dyta, mos më tregoni kush është i dëgjueshmi i partisë. E dini çfarë keni thënë “Ai po vjen”, “Ai është duke ardhur”, “Ai është këtu” kurse një grua kryetare e organizatës komunale ju thotë se ju jeni i plotfuqishmi. Kam frikë nga gjëra të tilla”, tha Gordana Siljanovska Davkova, deputete e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit.

Një përplasje të ngjashme e cila është vazhdim i dhjetëra të tillave mes ministres së Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska dhe deputetit të VMRO-DPMNE-së Dragan Kovaçki i cili vjen nga radhët e Mbrojtjes, ndodhi përsëri.

Ministrja akuzua se nuk ka mbrojtur ushtaret gra të cilët kanë qenë viktima të ngacmimeve seksuale nga eprorët e tyre. Petrovska tha se ka bërë procesverbalet e nevojshme dhe hetimin e ka lënë në dorë të institucioneve kompetente.

“Për kërkesën e shërbimeve seksuale nga më të rinjtë sipas gradës dhe funksionit, nga ana e të mbivendosurve të tyre dhe eprorëve më të lartë u mësua rastësisht, gjegjësisht u mësua gjatë hetimit për marrjen e mitos që e zbardhëm ne dhe të cilën ministrja e përgënjeshtroi”, u shpreh Dragan Kovaçki, VMRO-DPMNE-së.

“Ministrja e Mbrojtjes ose cilido ministër tani ose kurdo qoftë, por kuptohet që jo dhe në periudhën tuaj, nuk guxon të ndikojë në hetim. Fakti që ju si shef i mëhershëm i zbulimit ushtarak e keni pasur praktikë të prekni, të montoni, të rregulloni hetimet që janë detyrë e Prokurorisë Publike dhe e organeve gjyqësore, unë nuk e praktikoj”, citoi Sllavjanka Petrovska, ministre e Mbrojtjes.

Kovaçki kërkoi edhe shkarkimin e ministrit të Brendshëm Oliver Spasovski të cilin e akuzon direkt për, siç thotë, krimin dhe vrasjet publike që shënojnë rritje. Kryeministri Kovaçevski u vendos në mbrojtje të kolegut të tij nga e njëjta parti.

“Nuk do të kërkoj shkarkimin e Oliver Spasovskit duke qenë se performancat e ministrit të Brendshëm në pjesën e parandalimit të krimit, parandalimin e migrimit ilegal, në pjesën e investimeve dhe pajisjeve në MPB, në pajisjen e pjesëtareve të policisë… janë në nivelin më të lartë”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

“Pardje qytetarët përsëri ishin dëshmitarë të një larje hesapesh si në filma në qendër të Shkupit. Këto përplasje na janë bërë përditshmëri. Afër 20 vrasje vetëm në territorin e Shkupit, nuk janë zbardhur nga MPB-ja në mandatin e Spasovskit”, shtoi Dragan Kovaçki, VMRO-DPMNE-së.

E pothuajse pas çdo pyetje të opozitës, anëtarët e kabinetit qeveritar që u përgjigjën kërkonin që deputetët t’u kërkonin falje për ofendimet dhe akuzat. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme