Një njoftim i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, ka acaruar fort Serbinë.
Në rubrikën e Ambasadave të Republikës së Kosovës, shfaqet edhe Zyra ndërlidhëse kosovare në Beograd. Ministria e Jashtme e Serbisë që udhëhiqet nga, Ivica Daçiq, për këtë doli me deklaratë, me anë të së cilës mes tjerash thotë se “Kosova më parë do hap ambasadën në Hënë, sesa në Beograd”.
“Kjo deklaratë me këtë fjalor, është jodiplomatike, joprofesionale e aspak kontribuuese për fqinjësi të mirë. Pse kjo thuhet pikërisht tani? Për shkak se tani jemi në fushatë zgjedhjesh, që mbahen më 17 dhjetor. Kjo fushatë do jetë e pakëndshme që do e përjetojnë banorët e banoret e Serbisë. Kështu që deklaratat ndezëse, nacionaliste dhe forma tjera deklarimesh, që nuk i kontribuojnë raporteve të mira ndërfqinjësore do jenë të pranishme në fushatën parazgjedhore”, tha Sofija Todoroviq, aktiviste për të drejtat e njeriut nga Serbia.
Kosova dhe Serbia, në maj të 2013-ës, shkëmbyen zyrtarët ndërlidhës, si rrjedhojë e ujdisë së parë për normalizimin e raporteve, që u arrit më 19 prill të atij viti. Zyrat në fjalë nga atëherë, funksionojnë brenda godinave të misioneve të Bashkimit Evropian, në kryeqytetet respektive, pra në Prishtinë dhe Beograd.
Kjo pritet të ndryshojë në rast se zbatohet Neni 8 i Marrëveshjes Bazike të arritur por jo të nënshkruar më 27 shkurt në Bruksel.
Sipas këtij neni siç ju referohet dokumenti “Palët” do shkëmbejnë misione të përhershme, të cilat do vendosen në selitë përkatëse të qeverive. Kurse çështjet praktike që lidhen me vendosjen e misioneve thuhet se do trajtohen veçmas.
Kjo është njëri nga elementet kyçe të dokumentit me 11 nene, që implikon atë që quhet njohje “De facto” të Kosovës nga Serbia, të cilën tani po e kërkojnë haptas liderë evropianë.
“Në parim nëse flasim për gjërat ‘de facto’ pra nëse flasim për Kosovën, ajo e ka qeverinë, policinë, gjyqësorin e dokumentet e saj. Po shpresoj se që nga 1 janari do e festojmë liberalizimin e vizave për popullin e Kosovës. Dhe nëse flasim për njohjen ‘de facto’ mendoj se ajo ‘de facto’ ekziston”, shtoi Todoroviq.
Sipas listës së qeverisë, Republikën e Kosovës, që shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, deri tani “de facto” e “de jure” e kanë njohur 117 vende.