Gazetare: Ajnur Bafqari
Lëvizja Besa e cilëson si skandaloze deklaratën e një dite më parë të kryeministrit Kovaçevski lidhur me Kompleksin Memorial në Sopot. Fatmir Limani kritikoi edhe BDI-në se e shfrytëzon temën e luftës dhe UÇK-së në çdo cikël parazgjedhor me të vetmen arsye, të ruajë pushtetin sipas tij skajshmërisht të kriminalizuar. Limani akuzoi Kovaçevskin se zbaton standarde dyfishta duke e cilësuar ngjarjen në Sopot si private.
“Ishte pronë private flamuri në duart e qytetarit që valëvitej në pritjen e Kryeministrit Albin Kurti në Tetovë? Nëse ishte i tillë (pra i lashtësisë 145 vjeçare), pse duhej të ngrihej në këmbë e gjithë Qeveria dhe Portalet që u shërbejnë LSDM/BDI-së, dhe të akuzojnë Bilall Kasamin si fajtorin e nxitjes së urrejtjes ndër-etnike ?! Pse u ngritën akt’padi kundër Kryetarëve të Komunës së Çairit dhe Tetovës, dhe nuk u përshkuan ato raste si akte që i takojnë historisë së shkuar ?! Me këtë dëshmohet që vendi ynë, drejtohet mbi bazën e ligjeve të dy-fishta, të cilat trajtojnë qytetarët me standarde të ndryshme”, u shpreh Fatmir Limani, nënkryetar i Lëvizjes Besa.
Sot edhe Ministri i Jashtëm Bujar Osmani ishte në një vijë me kryeministrin Kovaçevski. Osmani tha se muzeu që u promovua ditë më parë në Sopot nuk ishte muze i UÇK-së dhe ishte ndërtuar në pronë private.
“Sipas informatave të mia, e para nuk bëhet fjalë për muze të UÇK-së siç ishte prezantuar, por muze që shënon ngjarje të vitit 1944, kur janë vrarë fshatarë të Sopotit. Z. Ahmeti ishte atje si mysafir i ftuar, kështu që të gjitha pyetjet do të duhet t’i drejtoni te organizatorët. Sipas informacioneve të mia ata thonë se ajo tokë është familjare, familja e ka ndërtuar atë që ta shënojnë me fshatarët, megjithatë ne nuk kemi asnjë pjesë në atë“, tha Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.
Ndryshe nga reagimet e ashpra të institucioneve gjatë vizitës së kryeministrit të Kosovës Kurti në Tetovë dhe Çair, kryeministri Kovaçevski minimizoi përdorimin e hartës së Shqipërisë Etnike në fshatin Sopot të Kumanovës, e vendosur ditë më parë gjatë përkujtimit të viktimave të masakrës së Sopotit të vitit 1944 ku prezent ishte edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Kovaçevski tha se hartat e tilla më nuk kanë rëndësi dhe se e njëjta ishte e vendosur në pronë private. /Alsat.mk