Gazetar: Adrian Kerimi
36 lëndë kundër 197 personave momentalisht udhëhiqen në bazë të nenit 353 paragrafi 5 që u shfuqizua me ndryshimet e fundit në Kodin Penal e që së shpejti do të vjetërsohen. Përveç TNT-së dhe Trajektores që arritën në vjetërsim absolut, së shpejti do të njëjtin fat do ta kenë edhe lëndët: “Producent” ku penalisht ndiqen ish ministri i Bujqësisë, Lupço Dimovski dhe gazetarja Ivona Talevska, shkruan Alsat.
“Target-Fortesa” përgjimi masiv në Maqedoninë e Veriut, rasti “Pacienti” tenderimi nëpër disa klinika shtetërore të vendit, lënda kundër ish anëtarit të Këshillit Gjyqësor, Zoran Teofillovski për shpërdorim me detyrën zyrtare. Në këtë lëndë, Prokuroria veçse ka propozuar tërheqjen e akuzës. Vjetërsim absolut do të përjetojë edhe lënda “Dizajn” kundër deputetit Igor Janushev dhe ish ministrit të Transportit, Mile Janakievski.
Ky i fundit përmes pranimit të fajit është dënuar me kusht. “Syri i gjarprit”, rrjeti kriminal në pikat pagesore që daton nga vitit 2007. Rasti “Talir” që i referohet financimit të VMRO-DPMNE-së nga burime të dyshimta financiare, si dhe akuza që rëndon kundër ish sekretarit të Qeverisë, Muhamed Zekiri. Për të Prokuroria ka deklaruar rikualifikimin e veprës penale, për shkak të abrogimit të dispozitës mbi të cilën ai ndiqej penalisht.
PRODUCENT | Lupço Dimovski dhe Ivona Talevska |
TARGET-FORTESA | Përgjimi masiv |
PACIENT | Tenderët nëpër spitale (15 persona) |
ZORAN TEOFILLOVSKI | Ish anëtar i Këshillit Gjyqësor |
DIZAJN | Igor Janushev, Mile Janakievski |
SYRI I GJARPRIT | Rrjeti organizativ në pikat pagesore |
TALIR | Financimi i VMRO-DPMNE-së |
MUHAMED ZEKIRI | Ish sekretar i Qeverisë |
Një lëndë tjetër e cila po shkon drejt vjetërsimit e që në proces gjykimi janë evidentuar shkelje procedurale është rasti “Tarifa” ku akuzohet ish drejtori i ELEM-it, Dejan Bozhinovski gjykatësi dyshohet të ketë bërë shkelje përmbajtjesore pasi duke iu referuar ndryshimeve në Kodin Penal, ka rikualifikuar veprën, pa mos e kërkuar një gjë të tillë përfaqësuesi i akuzës, përkatësisht prokurori.
Organi i akuzës nuk është pajtuar me këtë veprim të gjykatësit dhe ka potencuar se një gjë të tillë do ta kërkojë në fjalën përfundimtare. Koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë” vlerëson se kjo shkelje duhet të korrigjohet nga ana e gjykatësit.
“Këto veprimet të gjykatësit krijojnë bazë për konstatimin e shkeljeve përmbajtjesore të Ligjit mbi procedurën penale. Derisa rikualifikimi nuk bëhet nga ana e prokurorit dhe për më tepër i njëjti mbetet në aktakuzën e dorëzuar, atëherë nënkuptohet se lënda gjykohet nga trup gjykues në kundërshtim me ligjin”, thonë nga Koalicioni “Të gjithë për gjykime të drejta”.
Brenda një viti do të vjetërsohen edhe lëndët e tjera kundër ish kryeministrit Nikolla Gruevski, ndërsa aktive do të mbetet akuza në rastin “Titanik 2” dhe ajo ku ish kreu i VMRO-së akuzohet në cilësinë e organizatorit të dhunës më 27 prill të vitit 2017.
Për t’i shpëtuar burgut nga këto dy akuza, Gruevski kërkoi shpëtimin përmes rikthimit në fuqi të abolimit nga vitit 2016, por Gjykata Supreme e hodhi poshtë. Për këtë veprim, kryetarja e Supremes deklaroi publikisht në media presionet politike, veprim ky që sipas Këshillit Gjyqësor ka ndikuar në prishjen e imazhit të gjykatës dhe e njëjta mund të përballet me procedurë për përcaktimin e përgjegjësisë javën e ardhshme. / Alsat.mk