Opozita s’u befasua nga raporti i KE-së

Gazetare: Fatlume Dervishi

Raporti kritikues i Komisionit Evropian ka qenë i pritshëm për opozitën. Sipas kreut të Lëvizjes Besa Bilall Kasami, thotë se raporti vetëm ka evidentuar atë që është realitet në fushën e korrupsionit dhe gjyqësorit të anshëm.

“Skandalet dhe keqpërdorimet e pozitave zyrtare të cilat jo vetëm që dënohen por përkundrazi me zhvillimet e fundit në sektorin e drejtësisë në ndryshimet e legjislaturës po tregojnë që ndoshta raporti është pak më i balancuar se realiteti të cilin ne e jetojmë. Prandaj ne vlerësojmë që mëse e nevojshme është që sa më shpejt të kemi zgjedhje, sa më shpejt të kemi një qeveri të re e cila do t’i marrë seriozisht raportet e progresit dhe do të ketë një hartë të rrugëtimit të saj drejt zgjidhjes së problemeve të qytetarëve”, u shpreh Bilall Kasami, Lëvizja Besa.

Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE-ja, në intervistë për Alsat, tha se pushteti ja hedh fajin opozitës për raportin, siç thotë ai, më të keq në histori, megjithatë i ka pasur në dorë të gjitha mekanizmat institucional për të pasur rezultate pozitive në shumë fusha.

“Të jesh në pushtet shtatë vjet dhe t’i kesh të gjitha mekanizmat e pushtetit, të keni njerëzit tuaj në Këshillin gjyqësor republikan, të keni njerëzit tuaj në prokurori, të keni njeri të BDI-së në Prokurorinë për Krim të Organizuar, t’i kontrolloni të gjitha institucionet, përfshirë edhe kryetarin e Kuvendit dhe presidentin dhe të mos i pranoni kritikat e Brukselit ku u thuhet se nuk keni progres në luftën kundër korrupsionit dhe në gjyqësor kjo do të thotë se i nënçmoni qytetarët nga njëra anë, dhe nga ana tjetër edhe Komisionin Evropian sepse ua nënvlerësoni kritikat që kanë. Prandaj Bujar Osmani dhe Bojan Mariçiq duhet të mendojnë cila është përgjegjësia e tyre për raportin më të keq që Maqedonia ka pasur në 20 vitet e fundit”, tha Antonio Milloshoski, VMRO-DPMNE.

Pushteti e sheh raportin me syze rozë. Sipas tyre, vendi shënon progres në shumë fusha dhe regres në asnjë fushë.

“Raporti i Komisionit Evropian konfirmon që edhe përskaj pengesave të VMRO-DPMNE-së dhe Mickoskit, Maqedonia vazhdon t’i plotësojë kushtet për vazhdimin e negociatave për anëtarësim në BE. Progres kemi në 81% të kapitujve kurse regres nuk ka në asnjë kapitull. Sa u takon përgatitjes, në 90% të kapitujve jemi në nivel të caktuar të përgatitjes. Për dallim nga raportet katastrofale në kohën e VMRO-DPMNE-së për vend të robëruar, përzierje të partisë dhe shtetit dhe një sërë segmentesh me regres për disa vite, kemi progres drastik”, deklaroi Bogdanka Kuzeska, LSDM.

Raporti i Komisionit Evropian theksoi se nuk ka përparim në gjyqësor, se korrupsioni mbetet i shpërndarë në shumë fusha dhe është çështje shqetësuese, se ka sfida në fushën e sundimit të ligjit, polarizim politik në Kuvend dhe se bëhet keqpërdorim i skajshëm i flamurit të BE-së në miratimin e ligjeve. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme