Për Izraelin a vlen ndonjë ligj apo kod etik?

Në këtë bëtë ka përplot organizata bamirëse e keqbërëse, ku nuk mungojnë as ato terroriste. Dhe të gjitha ato ose i mbikëqyrë, ose i lufton shteti.
Dhe përderisa nga organizatat mund të presësh që të veprojnë jashtëligjshëm, sa të prirë nga mirësia poaq edh nga ligësia njerëzore, shtetit nuk i lejohet që bamirësin ta trajtojnë jashtë ligjit apo pengjet e terroristit t’i viktimizojë vetëm për ta vrarë pengmarrësin.
Kur një shtet vepron si organizatë, pra kur një shoqëri nuk respekton asnjë ligj apo kod etik, atëherë ai shtet quhet Izrael. Dhe ajo që atë e dallon nga ata që i lufton është vetëm forca dhe përkrahja e të fortëve të kësaj bote, përkrahje që ia mundëson të shfarosë një popull të tërë, e të mos i përgjigjet askujt.
Në këtë botë ekziston një virus që është duke e lodhur gjininë njerëzore, por kundër të cilit nuk ësht gjetur ilaç, e i cili quhet – luftë.
Duke e ditur se lufta është pjesë e pashmangshme e kalendarit njerëzorë, njerëzit kanë ndërmarr masa që atë sadopak ta kontrollojnë dhe palët ndërluftuese të tregojnë guxim e trimëri kundër njëri tjetrit në fushëbetejë, e jo duke vrarë fëmijë dhe nëna të pambrojtura.
Dhe jo se gjinia njerëzore nuk mban mend luftëra gjatë të cilave janë vrarë me qindra mijë fëmijë, por vrasja e tyre është bërë fshehurazi dhe thuajse kurrë nuk ka ndodhur si tani në Gazë, ku para syve të gjithë botës, Izraeli e lufton ‘terrorizmin’ duke vrarë 12 mijë civil palestinezë, mes të cilëve 6 mijë fëmijë të moshës nën dymbëdhjetëvjeçare.
Po, në këtë botë njëkohësisht janë duke u zhvilluar disa luftëra. Dhe më të rrezikshëm se të armatosurit që luftojnë e vrasin, janë të paarmatosurit që përhapin urrejtje dhe mbajnë anën e vrasësit.
Andaj do ishte mirë nëse përkrahësit e Izraelit do tregonin publikisht nëse janë të kënaqur nga ‘fitorja’ e izraelitëve kundër ‘terroristëve’ me gjashtëmijë fëmijëve palestinezë të vrarë.
Pra me aq fëmijë të vrarë brenda një muaj sa do ishin shumë edhe për kohët që shenjë njohëse kishin nazizmin, e jo më për kohët tona ‘humane’?!
Në këto botë pra kurrë nuk janë heshtur luftërat dhe krismat e armëve, por askush nuk ka guxuar të veprojë si Izraeli, i cili shtatë dekada me radhë, i asgjëson edhe ullinjtë e palestinezëve vetëm që ata t’i zhdukë nga ky rruzull tokësor.
Edhe atë zhdukje të popullit palestinezë dhe vjedhje të tokës së tij e ka bërë para syve të botës ‘humane’ Perëndimore, e cila nuk guxoi t’i thotë gjë mbase shkaku i kompleksit të holokaustit, apo shkaku se jeta e një lindori nuk peshon sa e një perëndimori të ‘civilizuar’?!
Ku ta dish, ndoshta jetojmë në kohë kur ligjet dhe kodet etike janë përralla me të cilat të fortit e të pasurit e kësaj bote i venë në gjumë fëmijët e vet dhe popujt e vegjël e të pambrojtur?
Por edhe sikur të ishte ashtu, edhe kur e dinë se, për shembull, për Izraelin nuk vlen asnjë ligj apo kod etik i kësaj bote, pra edhe kur e dinë se hebreu mund ta vret palestinezin e të mos i përgjigjet askujt, ia vlen ta ngresh zërin e ta mbrosh të pambrojturin.
Ai zë nuk do ndryshojë asgjë, por do mund t’ia lehtësoj rrjedhën e lotove nënës palestineze, e cila pret t’ia nxjerrin nga gërmadhat fëmijën e masakruar nga bombat izraelite.
Pra sidoqoftë, ia vlen të jesh nga ana e viktimës edhe atëherë kur mund ta arsyetosh heshtjen me atë se nuk ta lejon mirënjohja ndaj të mirave që ty t’i ka bërë vrasësi i dikujt.
Mirënjohja që të pengon të jesh njeri, i vret në ty gjitha vlerat dhe të shpërfaq të atillë siç je: jargavitës ndaj të fortit e të pasurit, e mospërfillës dhe përbuzës ndaj të varfrit dhe të pambrojturit. (Kim Mehmeti)/sakte.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme