Sistemi gjyqësor shpëtoi Titanikun nga fundosja

Gazetar: Adrian Kerimi

Sistemi gjyqësor shpëtoi Titanikun nga fundosja. Keqpërdorën dhe manipuluan vullnetin e qytetarëve, (të paktën sipas përgjimeve të publikuara) por para drejtësisë dolën mbi ligjin, shkruan Alsat.

Sasho Mijallkov, Menduh Thaçi, Bredredin Ibrahimi, Vllatko Sajkovski, Aneta Stefanovska dhe Sasho Sercev shpëtuan nga akuza për manipulimin e procesit zgjedhor në vitin 2013. Krejt kjo falë ndryshimeve të fundit në Kodin Penal.

Për ish drejtorin e shërbimin sekret, Sasho Mijallkov i cili kishte kërkuar nga kreu i PDSH-së Menduh Thaçi që anëtari i PDSH-së në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, Bedredin Ibrahimi të votonte për prishjen e procesit zgjedhor në një vendvotim në Strumicë, akuza u tërhoq për shkak të vjetërsimit.

Arsyetimi i Gjykatës së Apelit përves vendimit shfuqizues është se ndjekja penale nuk mund të vazhdohet për shkak të vjetërsimit referuar Ligjit të procedurës penale, neni 402. Pavarësisht vendimit, vepra e Mijallkovit u vjetërsua paraprakisht më 7 prill të këtij viti.

Thaçi, Ibrahimi, Sercev, Stefanovska dhe Sajkovski u dënuan me kusht, pavarësisht se në vendimin e shkallës së parë pas rigjykimit ishin dënuar me burg efektiv. Me vendimin e parë të shpallur më 8 mars 2019, të gjithë të akuzuarit u dënuan në total me 19 vite dhe 8 muaj burg, gjegjësisht: Mijallkov ishte i dënuar me tre vjet burg, Thaçi me tre vjet e dy muaj, Ibrahimi me katër vite e gjysmë, ndërsa të tjerët me nga tre vite.

Por, në dhjetor të atij viti, Apeli rrëzoi vendimin dhe e ktheu çështjen për rigjykim. Shkalla e dytë aso kohe kishte konstatuar se në gjykimin e shkallës së parë janë bërë shkelje përmbajtjesore dhe për këtë arsye duhet rigjykuar.

“Titanik 2” si akuzë që ishte ngritur nga ish Prokuroria Speciale konkretisht i referohej ujdisë dhe ndikimit të ish drejtorit të shërbimit sekret ndaj anëtarëve të KSHZ-së përmes kreut të PDSH-së që një vendvotim të prishte pasi kjo do t’i hapte rrugën kandidatit të Strumicës nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Vasil Peshev të mund të shkonte në epërsi karshi kundër kandidatit Zoran Zaev nga LSDM-ja.

Thaçi përmes telefonit kishte kërkuar nga Ibrahimi të voton për prishjen e procesit të votimit pasi sipas tij marrëveshja ishte që VMRO do ta mbështeste prishjen e një vendvotimi në Çair./ Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme