Gazetar: Lluka Andreev
Zyrtarët presin që të gjithë ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të OSBE-së, të jenë të pranishëm në këshillin e ardhshëm ministror të organizatës, i cili do të mbahet në Shkup në fund të muajit. Prania e Sekretarit të Shtetit të SHBA Anthoni Blinken, është tashmë e sigurt, por mbetet për t’u parë nëse Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, do të mbërrijë në vend. Ministri Bujar Osmani, tha se vendimi varet vetëm nga Shkupi, por edhe nga Sofja apo Athina.
“Vendimi për sanksionet e BE-së, nuk zbatohet për ngjarje të një natyre shumëpalëshe siç është OSBE-ja. Prandaj, vendimi varet nga qeveritë, por ka një bazë ligjore në BE. Një vendim i tillë duhet të merret nga ne dhe të paktën një nga fqinjët tanë, Bullgaria ose Republika Greke, në mënyrë që të sigurohet një fluturim”, deklaroi Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.
Osmani nuk ishte specifik në përgjigjen e tij, nëse delegacionet e tjera, veçanërisht ai ukrainas, e kushtëzuan praninë e tyre me pjesëmarrjen e mundshme të Lavrovit në Këshillin e Ministrave.
Për shkak të pozicioneve të Rusisë, mbetet pyetja se kush do të jetë kryetari i ardhshëm i OSBE-së. Moska vuri veton ndaj kandidaturës së Estonisë, si dhe ndaj buxhetit të organizatës. Nëse nuk gjendet alternativë, është e mundur që Maqedonia të vazhdojë kryesimin e saj vitin e ardhshëm. Përgjigja do të dihet pas dy javësh.
“Nëse shteret ky skenar, në mënyrë që Estonia të mos mund të marrë konsensus, ne kërkojmë një vend alternativ për të cilin mund të arrihet një konsensus. Nëse nuk mund të gjejmë një vend alternativ për Këshillin e Ministrave të Shkupit, atëherë teorikisht mund të shtrohet pyetja, që ne të vazhdojmë edhe për një vit tjetër”, tha Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.
Këshilli Ministror dy-ditor i OSBE-së do të mbahet më 30 nëntor dhe 1 dhjetor. Më shumë se 70 delegacione do të marrin pjesë në Shkup, me rreth një mijë anëtarë. Për shkak të arsyeve logjistike dhe të sigurisë, Qeveria vendosi të mërkurën, 29 nëntor, që orari i punës për administratën publike dhe shtetërore të jetë deri në orën 12 ndërsa të enjten, 30 nëntor, u shpall ditë jo pune për administratorët në Shkup. As shkollat nuk do të funksionojnë. Vendimi nuk zbatohet vetëm për institucionet shëndetësore dhe kopshtet e fëmijëve. /Alsat.mk