Artileria propagandistike e BDI-së përmes portaleve të krijuara së fundi rezulton të ketë për pronar një person, identiteti i të cilit është mësuar së fundi. Ilirjana Bajrami themeluese e “Infinite Solutions 2023”.
Radio Evropa e Lirë dhe rrjeti hulumtues Primza.mk kanë zbuluar se të paktën 10 portale të cilat shfrytëzohen nga BDI për ushtrimin e propagandës dhe sulmin ndaj atyre që nuk mendojnë njëjtë si BDI janë nën ombrellën e kompanisë të cilën e ka themeluar Ilirjana Bajrami.
Zonja në fjalë rezulton të jetë bashkëshortja e Kujtim Bajramit, i punësuar në kabinetin e drejtorit të Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami i shumëpërfolur së fundi nga opozita për shkak të marrëveshjeve të dyshimta me kompani të afërta me BDI-në dhe ndryshimeve ligjore mbi lojërat e fatit.
Dy portalet më të spikatura të cilët e linçuan publikisht kryetaren e Gjykatës Supreme, Besa Ademi përmes lajmeve të rreme dhe shpifjeve me qëllim njollosjen e imazhit të saj, desk.mk dhe redakcija.mk rezultojnë të jenë në pronësi të kompanisë “Infinite Solutions 2023”.
Kompania që sipas Regjistrit Qendror rezulton të jetë themeluar më 28 mars të këtij viti, ka regjistruar 308 mijë denarë harxhime për mobilimin e zyrave të punës. Harxhimet janë legjitimuar në bazë të vlerësimit të bërë nga një vlerësues i Kumanovës.
Një portal tjetër që futet në grupin e portaleve propagandistike është edhe ai indeks.mk. Kompania rezulton të jetë në emrin e drejtorit të Lotarisë, Përparim Bajrami dhe një personi tjetër me emrin Faton Shoshi.
Kompania është themeluar në maj të vitit 2021. Profili në Facebook i portalit indeks.mk rezulton që vite më parë të ketë qenë fan page i BDI-së.
Portalet e lartëpërmendura së fundi kanë zhvilluar një fushatë të zezë kundër kryetares së Supremes, sidomos pasi kjo e fundit denoncoi presione politike për rikthimin në fuqi të abolimit nga viti 2016 të presidentit Gjorgje Ivanov.
Titujt tendencioz dhe fotografitë e krijuara kishin për qëllim që Ademin ta paraqesin si një Katica Janeva e re, ndërsa nuk mungonin as pretendimet për lidhjet e saj me biznese dhe kompani të ndryshme.
Portalet në fjalë zhvillojnë propagandë edhe kundër partive opozitare dhe figurave publike që dalin me qëndrime kundër BDI-së. / Alsat.mk