Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha nga Shkupi se Maqedonia e Veriut mund të mbështetet në NATO.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, Stoltenberg tha se Maqedonia e Veriut është një aleat i vlefshëm i NATO-s.
Siç theksoi ai, Maqedonia e Veriut kontribuon në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, shprehu angazhimin e saj për të shpenzuar 2 për qind të PBB-së për mbrojtje, dënoi luftën e Rusisë kundër Ukrainës, vendosi sanksione ndaj Rusisë dhe ofroi mbështetje ushtarake dhe financiare për Ukrainën.
“NATO mund të mbështetet në Maqedoninë e Veriut dhe Maqedonia e Veriut mund të mbështetet në NATO. Aleanca garanton sigurinë tuaj, ju jeni të mbuluar nga patrulla ajrore e NATO-s. Avionë luftarakë nga Greqia dhe Italia patrullojnë qiellin tuaj për t’ju mbajtur të sigurt. Ky është solidariteti i NATO-s në veprim”, tha Stoltenberg.
Ai shtoi se siguria e Ballkanit Perëndimor është e një rëndësie thelbësore për NATO-n, duke shtuar se ka arsye për shqetësim.
Stoltenberg përsëriti thirrjen e tij drejtuar liderëve politikë të Bosnje dhe Hercegovinës që të përmbahen nga retorika separatiste dhe theksoi nevojën që Beogradi dhe Prishtina të përfshihen në dialogun e lehtësuar nga BE.
Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari në lidhje me ndikimin rus në Ballkan dhe potencialin për destabilizim, Stoltenberg tha se nuk sheh një kërcënim të menjëhershëm ushtarak rus për asnjë aleat të NATO-s:
“Megjithatë, ne mbetemi vigjilentë. Ne po monitorojmë nga afër se çfarë po bën Rusia dhe mbetemi të bashkuar. Ne kemi një prani ushtarake në këtë rajon, me KFOR-in, me seli në Sarajevë dhe në fakt me një zyrë në Beograd, dhe jemi të gatshëm të dërgojmë shpejt përforcime dhe të bëjmë gjithçka që duhet për të mbrojtur çdo aleat nga çdo kërcënim. Por përsëri, ne nuk shohim ndonjë kërcënim ushtarak kundër asnjë aleati të NATO-s”.
“Me unitetin tonë si aleatë, ne kemi dëshmuar se Aleanca është më e fortë dhe më e madhe se kurrë më parë” –
Në fjalën e tij, kryeministri Dimitar Kovaçevski e vlerësoi Stoltenberg si mik të madh të Maqedonisë së Veriut, duke shtuar se kjo është vizita e tij e parë në Shkup pasi vendi u bë anëtar i plotë i NATO-s.
Ai shtoi se është biseduar për Aleancën, integrimin euroatlantik të vendit dhe rajonit, por edhe për sigurinë dhe paqen botërore, si dhe për zhvillimet më domethënëse në rajon, në Ukrainë dhe në Rripin e Gazës.
Kovaçevski theksoi se të jesh pjesë e NATO-s do të thotë siguri, duke shtuar se Maqedonia e Veriut njihet si faktor i stabilitetit në rajon.
“Për pak muaj do të arrijmë 2 për qind të planifikuar të PBB-së që vendosëm në Samitin vjetor në Vilnius, ku ramë dakord edhe për planin më të fuqishëm të mbrojtjes së NATO-s. Ne gjithashtu vazhdojmë kontributin tonë në misionet e NATO-s në Kosovë dhe Irak, si dhe në grupet luftarake të NATO-s në Letoni, Rumani dhe Bullgari. Me unitetin tonë si aleatë, dëshmuam se Aleanca është më e fortë dhe më e madhe se kurrë më parë dhe se në vitin që solli sfidën më të madhe për Aleancën që nga themelimi i saj”, tha Kovaçevski.
Ai gjithashtu theksoi nevojën e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian (BE), duke shtuar se në këtë rrugë nuk duhet të ketë pengesa.
“Në këtë rrugë europiane çdo mbështetje është e mirëpritur dhe e dëshiruar”. Dhe këtu, dua të falënderoj personalisht Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për angazhimin e tij të fortë për integrimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut dhe Ballkanit Perëndimor në tërësi. Një objektiv strategjik me NATO-n është përmbushur për ne. Besoj se me ndihmën tuaj dhe të miqve tanë nga komuniteti euroatlantik do të kemi sukses në realizimin e qëllimit të dytë strategjik, anëtarësimit në BE”, tha Kovaçevski.
Stoltenberg gjatë ditës së sotme mbajti fjalim para deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë, ndërsa u takua edhe me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Maqedonia e Veriut gjatë ditës së nesërme do të jetë nikoqire e takimit jozyrtar të liderëve të aleatëve të NATO-s nga rajoni. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski, do të mirëpresin liderët e ftuar të Shqipërisë, Kroacisë dhe Malit të Zi.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ndodhet në një turne katërditor në Ballkan nga data 19 deri më 22 nëntor, gjatë të cilit ka vizituar Bosnjën dhe Hercegovinën, Kosovën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.