Gazetare: Fatlume Dervishi
Pothuajse pesë vite pas hyrjes në fuqi të ligjit për përdorimin e gjuhëve, Inspektorati që duhet të vëzhgojë përdorimin e tij, çalon për nga financat dhe numri i të punësuarve. Drejtori i Inspektoratit Fatmir Iseni, në intervistë për Alsat, deklaroi se çdo vit bëjnë kërkesë por nuk marrin pëlqim nga Ministria e Financave për angazhimin e inspektorëve të rinj të cilët janë të nevojshëm për punë më efektive.
“Për momentin në Inspektoratin për përdorimin e gjuhëve kemi tetë inspektorë të licencuar. Para dy muajve kemi qenë gjashtë, tani jemi tetë inspektorë. Edhe pse në bazë të sistematizimit që e kam përgatitur unë si drejtor duhet të jemi 32 inspektorë duke marrë parasysh edhe katër njësi rajonale siç është Tetova, Kumanova, Kërçova dhe një njësi rajonale në Shkup…”, tha Fatmir Iseni, drejtor i Inspektoratit për përdorimin e gjuhëve.
Funksionojnë këto njësi rajonale ose s’janë hapur akoma?
“Jo, për momentin nuk janë duke funksionuar për arsye se për t’i hapur këto njësi rajonale dhe për të plotësuar numër të të punësuarve dhe inspektorë duhet normalisht të kemi një buxhet pak më të madh”, u përgjigj Iseni.
Inspektorati që funksionon prej tre vitesh ka realizuar qindra inspektime, por nuk ka zbatuar asnjë dënim sipas ligjit për përdorimin e gjuhëve. Arsyetimi që inspektorët marrin shpesh, është se nëpër institucione nuk ka të punësuar përkthyes.
Iseni thotë se institucionet marrin vërejtje dhe është konstatuar se ata mënjanojnë mangësitë pas këtyre vërejtjeve. Megjithatë muajve të ardhshëm, Iseni tha se do të bëhen më shumë inspektime kontrolluese pas të cilave mund të shqiptohen gjobat e para në para, për institucionet që nuk respektojnë ligjin. Gjobat variojnë prej 4 deri 5 mijë euro për institucionin dhe 30% të saj për drejtuesin e institucionit.
Nga një inspektim sipërfaqësor, shqipja nuk respektohet aspak në faqen elektronike të Gjykatës Kushtetuese, Komunës së Gazi Babës, Gjykata penale, kurse më herët gjatë vitit të kaluar vërejtje nga Inspektorati kanë marrë edhe Ministira e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Bujqësisë, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, Fondi për Sigurim Pensional dhe Invalidor, Ujësjellësi dhe Kanalizimi, Agjencia për Rini dhe Sport dhe Drejtoria për menaxhim me librat amë. /Alsat.mk