AFP
Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka kërkuar Kinës më shumë informata për sëmundjet e frymëmarrjes që po përhapen në veri të vendit, por Pekini nuk ofroi asnjë koment publik të enjten.
Që nga mesi i tetorit Kina veriore ka raportuar një rritje të “sëmundjeve të ngjashme me gripin” krahasuar me të njëjtën periudhë në tre vitet e mëparshme, tha OBSH.
“OBSH i ka bërë një kërkesë zyrtare Kinës për informacion të detajuar mbi një rritje të sëmundjeve të frymëmarrjes dhe grupet e raportuara të pneumonisë tek fëmijët,” tha organi shëndetësor i OKB-së në një deklaratë të lëshuar të mërkurën vonë.
Komisioni Kombëtar i Shëndetit në Kinë u tha gazetarëve javën e kaluar se rritja e sëmundjeve të frymëmarrjes ishte për shkak të heqjes së kufizimeve të Covid-19, gripit dhe infeksioneve të zakonshme bakteriale që prekin fëmijët, duke përfshirë pneumoninë e mykoplazmës.
Qyteti ka “hyrë në një sezon të rritjeve të rasteve të sëmundjeve infektive të frymëmarrjes”, tha për mediat shtetërore Wang Quanyi, zëvendësdrejtor dhe eksperti kryesor epidemiologjik në Qendrën e Pekinit për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Pekini “aktualisht po tregon një prirje të bashkëjetesës së shumë patogjenëve”, shtoi ai.
OBSH nuk dha asnjë tregues për përgjigjen e Kinës ndaj kërkesës për më shumë informacion.
Komisioni Kombëtar i Shëndetit i Kinës nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga AFP të enjten. Dhe zëdhënësja e ministrisë së jashtme të Pekinit, Mao Ning, i referoi gazetarët tek “autoritetet kompetente kineze.”
“Për shkak të stinës”
Në spitalin e fëmijëve të Institutit të Pediatrisë së Pekinit të enjten, gazetarët panë numër të madh të prindërve dhe fëmijëve të veshur me rroba dimri.
Një prind me mbiemrin Zhang e shoqëroi djalin nëntë vjeçar që kollitej dhe tha se ai ishte sëmurë me pneumoni mykoplazmatike – një patogjen që mund të shkaktojë dhimbje të fytit, lodhje dhe ethe.
“Ka vërtet shumë fëmijë që e kanë kapur së fundmi. Sigurisht që kjo më shqetëson”, tha ajo.
Li Meiling, 42 vjeç, kishte sjellë vajzën e saj tetëvjeçare, e cila tha se vuante nga i njëjti lloj pneumonie.
“Është e vërtetë që shumë fëmijë të moshës së saj janë të sëmurë me këtë aktualisht,” tha ajo për AFP.
Por ajo “nuk ishte e shqetësuar në veçanti” për njoftimin e OBSH-së, shtoi ajo.
“Është dimër, ndaj është normale që ka më shumë raste të sëmundjeve të frymëmarrjes. Kjo është për shkak të stinës.”
OBSH tha se ishte e paqartë nëse raporti i ProMED kishte lidhje me konferencën për shtyp të autoriteteve dhe se po kërkonte sqarime.
Agjencia gjithashtu “ka kërkuar informacion shtesë mbi tendencat e fundit në qarkullimin e patogjenëve të njohur, duke përfshirë gripin, SARS-CoV-2 [virusin që shkakton Covid-19], RSV që prek foshnjat si dhe shkalla e mbipopullimit në sistemin shëndetësor”, thuhet në njoftim.
Ai u bëri thirrje njerëzve të marrin masa parandaluese, duke përfshirë vaksinimin, mbajtjen e distancës nga njerëzit e sëmurë dhe veshjen e maskave.
Thirrje për transparencë
Gjatë pandemisë Covid-19, OBSH kritikoi vazhdimisht autoritetet kineze për mungesën e transparencës dhe bashkëpunimit.
Më shumë se tre vjet pas zbulimit të rasteve të para në Vuhan, debati i nxehtë vazhdon ende rreth origjinës së Covid-19.
Shkencëtarët janë të ndarë midis dy teorive kryesore sa i përket shkaktarit: një rrjedhje nga një laborator në qytet ku po studioheshin viruse të tilla dhe një kafshë që infektonte njerëzit në një treg lokal.
Një ekip specialistësh i udhëhequr nga OBSH dhe i shoqëruar nga kolegë kinezë hetuan Kinën në fillim të vitit 2021 dhe zyrtarët e OBSH vazhdimisht kanë kërkuar të dhëna shtesë.
Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka theksuar se arritja në fund të misterit mund të ndihmojë në shmangien e pandemive të ardhshme.