Një pjesë e rrugëve të Shkupit do të jenë pjesërisht të mbyllura, autobusët do të reduktohen dhe do të ndërrojnë rrugët e qarkullimit, nxënësit dhe të punësuarit në administratë do të rrinë në shtëpi. Në këtë mënyrë do të funksionojë kryeqyteti gjatë mbajtjes së samitit të OSBE-së.
“Për shkak të Këshillit Ministror të OSBE-së Një pjesë e rrugëve të kryeqytetit do të jenë të bllokuara, njësoj sikur ky udhëkryq në mes të bulevardit ‘8 shtatori’ dhe ‘Ilinden’ ku ka frekuentim të ulët të veturave, ndërsa disa nga rrugët janë përkohësisht të mbyllura”, raporton Ajnur Bafqari, gazetare.
Me qëllim lehtësimin e qarkullimit të delegacioneve të huaja në vend, disa rrugë do të jenë të mbyllura pjesërisht, edhe atë Bulevardi “Ilinden”, prej te udhëkryqi me rrugën “Shën Klimenti i Ohrit”, deri në udhëkryqin “Lublanska” dhe “8 shtatori”, pastaj prej udhëkryqi me rrugën “Skupi” deri në udhëkryqin me bulevardin “Aradhat Partizane”. Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se rrugët nuk do të mbyllen tërësisht, por sipas nevojës dhe në periudha të caktuara të ditës.
Shkollat fillore dhe të mesme që ndodhen në kryeqytet sot punuan me orar të shkurtër, ndërsa në disa shkolla mësimi u zhvillua me numër të përgjysmuar të nxënësve. Punonjësit administrative punuan deri në mesditë.
“Një pjesë e punonjësve administrativ kanë ikur tashmë, ndërsa pjesa tjetër po ikin tani për shkak se sot punojnë me orar të shkurtër deri në mesditë, në ndërkohë nesër e kanë ditë të lirë”, informon Ajnur Bafqari , gazetare.
Çerdhet do të kujdesen për fëmijët, për ta nuk vlen vendimi për ditë të lirë, ndërsa vendimi nuk vlen as për institucionet shëndetësore. Pacientët do të marrin shërbimet e tyre pa ndonjë pengesë. Qeveria rekomandoi që pronarët e bizneseve private në Shkup të vendosin vetë nëse do të punojnë ose jo, e kjo veçanërisht vlen për komunën e Karposhit dhe komunat që janë në afërsi të qendrës sportive “Boris Trajkovski”.
Qarkullimi ajror do të zhvillohet me rregull por nga Aeroporti i Shkupit u bëjnë thirrje qytetarëve që të ndjekin udhëzimet dhe njoftimet e MPB-së, me qëllim që të kenë mundësi të arrijnë në kohë për fluturimet e tyre. Për samitin e 30 nëntorit dhe 1 dhjetorit janë paralajmëruar 76 delegacione, nga mbi 50 vende të botës me rreth 1000 pjesëmarrës. Për shkak të kësaj do të ketë sigurim të përforcuar policor, me shkallën e tretë të sigurisë. /Alsat.mk