Gjykata Themelore në Prishtinë e ka zhvilluar të dielën një seancë ndaj tre personave që dyshohet të jenë përfshirë në vrasjen e 30-vjeçares, Liridona Murselit, më 29 nëntor, në kryeqytetin e Kosovës.
Në mesin e të dyshuarve është burri i saj, i identifikuar nga mediat lokale në Kosovë si Naim Murseli.
I arrestuar është edhe G.P, i identifikuar nga Policia e Kosovës si dorasi, dhe K.K, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Seanca ka nisur në orën 9:30, dhe ka qenë e mbyllur për mediat.
Ende nuk dihet masa që pritet të përcaktohet ndaj të dyshuarve.
Afër gjykatës janë parë familjarë të Liridonës, por ata nuk janë lejuar të marrin pjesë në seancën e parë.
Vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj, ka thënë se është njoftuar që duhet të bëjë kërkesë për të marrë pjesë në seancat e radhës.
Ai ka thënë se i ka dorëzuar kërkesë Prokurorisë për zhvarrosjen e trupit të Liridonës dhe rivarrosjen afër varrezave të shtëpisë së prindërve të saj.
“Liridona është vrarë në mënyrën më mizore, në mënyrën më makabre që mund të jetë. Liridona ishte grua e fuqishme, motër e fuqishme dhe nënë e fuqishme. Doli të bëhet edhe heroinë për fëmijët e vet. Ne po e përmbajmë veten, sepse ajo nuk donte të na shihte neve kurrë kështu”, ka thënë vëllai i saj, pas seancës.
Ai ka thënë se beson që autoritetet e Kosovës do të vendosin drejtësi në këtë rast.
Në hyrje të ndërtesës, është mbajtur një protestë, me mbishkrimin “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave”.
Vrasja e Liridonës ka marrë vëmendje të madhe, pasi fillimisht ajo ishte raportuar nga Policia e Kosovës si “grabitje me pasoja të vrasjes”.
Pas arrestimit, Betimi për Drejtësi – medium i specializuar në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë – ka raportuar, bazuar në burime se, i dyshuari Naim Murseli e ka pranuar para hetuesve se e ka porositur vrasjen për bashkëshorten e tij.
“Burime të ‘Betimi për Drejtësi’ bëjnë të ditur se i dyshuari Murseli ia kishte dhënë të dyshuarit G.P., 15 mijë euro para vrasjes, e 15 mijë të tjera do t’ia jepte pas kryerjes së veprës”, është thënë në raportimin e këtij mediumi.
Autoritetet e drejtësisë ende nuk e kanë bërë të ditur motivin e kësaj vrasjeje.
Policia e Kosovës ka thënë se ka kryer bastisje në Gjakovë dhe ka arritur të sekuestrojë armën, me të cilën dyshohet të jetë kryer vrasja.
Vrasja është dënuar ashpër nga zyrtarë të lartë të Kosovës dhe është bërë thirrje për zbardhjen e rastit.
Me thirrjet kundër femicidit dhe dhunës me bazë gjinore – duke marrë shkas rastin e Liridonës – do të protestohet në mesditën e së dielës në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, ndërsa të martën në Prishtinë./REL