Tre muaj pas miratimit të Udhëzimit Administrativ për largimin e kryetarëve të komunave, pjesëtarët e komunitetit serb në veri të Kosovës vendosën të ndërmarrin një iniciativë në atë drejtim.
Udhëzimi Administrativ u nxor në fillim të shtatorit nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e Kosovës, me qëllim për t’i hapur rrugë shpalljes së zgjedhjeve lokale në katër komunat me shumicë serbe në veri: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Kryetarët shqiptarë morën pushtetin në këto komuna në fund të muajit maj, por popullata vendase serbe, që i bojkotoi zgjedhjet lokale të prillit, nuk i pranon.
Kjo çështje i ngriti tensionet dhe, më 29 maj në Zveçan, situata përshkallëzoi në dhunë. Protestues serbë u përleshën me ushtarë të misionit të NATO-s, KFOR, duke plagosur dhjetëra syresh.
Vendet perëndimore dhe Bashkimi Evropian kërkuan nga Kosova organizimin e zgjedhjeve të reja, të cilat Qeveria e kryesuar nga kryeministri Albin Kurti i pranoi, por me kusht që kryetarët aktualë të zëvendësohen vetëm në bazë të ligjit.
Një gjë e tillë parasheh nënshkrimin e një peticioni nga së paku 20 për qind e qytetarëve me të drejtë vote në komunat në veri të Kosovës.
Çfarë hapash u ndërmorën?
Më 5 dhjetor, një grup qytetarësh u përpoq të ndërmerrte një iniciativë për zëvendësimin e kryetarëve aktualë të komunave në veri, por më vonë tha se nuk mundi ta bënte këtë.
Sanja Kërtiniq nga Mitrovica e Veriut, në një prononcim për disa media lokale në gjuhën serbe, tha se askush në komunë nuk ka dashur t’i pranojë dhe të bisedojë me ta dhe se ata janë referuar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Kryetari i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhad Uglanin, tha se iniciativa qytetare nuk i është drejtuar atij, ashtu siç parashihet në Udhëzimin Administrativ të Qeverisë së Kosovës për zëvendësimin e kryetarit.
Ndërkohë, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se ndërmarrja e iniciativës për zëvendësimin e kryetarëve është përcaktuar qartë në Udhëzimin Administrativ dhe se çdo qytetar apo grup i qytetarëve me të drejtë vote ka të drejtë ta bëjë atë.
“Ju njoftojmë se në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk kemi pranuar asnjë njoftim zyrtar në lidhje me këtë nismë nga kryesuesit e kuvendeve komunale të komunave respektive apo anëtarët e grupit iniciues, siç parashihet me këtë Udhëzim Administrativ”, shkroi Krasniqi në Facebook.
Çfarë saktësisht parasheh Udhëzimi Administrativ?
Udhëzimi Administrativ për shkarkimin e kryetarëve, i cili do t’i hapte rrugë shpalljes së zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, parasheh një sërë hapash që çojnë në mbledhjen e nënshkrimeve për peticion.
Së pari, duhet të formohet një grup iniciues, i përbërë nga së paku tre persona, që përfaqësojnë kërkesën e një komune të caktuar.
Ai grup, përpara se të fillojë me mbledhjen e nënshkrimeve, duhet ta informojë kryetarin e kuvendit të komunës, por mund ta informojë edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Më pas, kryetari i kuvendit komunal e njofton për këtë iniciativë qytetare kryetarin e komunës, Ministrinë përkatëse për Administrimin e Pushtetit Lokal dhe KQZ-në.
Pas kësaj, kryetari i kuvendit të komunës – më së voni në afat prej pesë ditësh – duhet ta shqyrtojë kërkesën e qytetarëve dhe ta regjistrojë grupin e qytetarëve që ka ndërmarrë iniciativën për zëvendësimin e kryetarit si person të autorizuar.
Nëse kryetari i kuvendit të komunës nuk e kryen punën e tij, grupi i qytetarëve mund të kërkojë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që ta shqyrtojë kërkesën e tij dhe ta regjistrojë si person të autorizuar.
Kur grupi i qytetarëve regjistrohet si person i autorizuar, kryetari i kuvendit të komunës duhet të kërkojë nga KQZ-ja listën e përditësuar të votuesve me të drejtë vote, brenda pesë ditësh.
Hapi i radhës është që kryetari i kuvendit të komunës t’i dorëzojë grupit të qytetarëve, si person i autorizuar për ndërmarrjen e iniciativës për shkarkimin e kryetarit, dokumentacionin e nevojshëm, që përfshin numrin e saktë të nënshkrimeve të kërkuara për peticion, d.m.th. 20 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve.
Këtij grupi, gjithashtu, i jepet autorizimi i kuvendit të komunës për shfrytëzimin e hapësirës publike për mbledhjen e nënshkrimeve.
Nëse ky grup nuk e merr dokumentacionin e nevojshëm brenda afatit të caktuar prej pesë ditësh, ai ka të drejtë ta kërkojë të njëjtën gjë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Më pas KQZ-ja – jo më vonë se pesë ditë pas marrjes së kërkesës – e njofton kryetarin e kuvendit komunal dhe grupin për ndërmarrjen e iniciativës për zëvendësimin e kryetarit të komunës për numrin e përgjithshëm të votuesve në komunë dhe numrin e nënshkrimeve të votuesve që kërkohet.
Mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit dhe votimi
Ky grup, më pas, ka 30 ditë kohë për të mbledhur nënshkrime dhe afati mund të shtyhet vetëm një herë për 15 ditë.
Nënshkrimet, të cilat duhet të mblidhen në formë fizike, i dorëzohen kryetarit të kuvendit të komunës dhe KQZ-së, e cila është përgjegjëse për verifikimin e tyre.
Nëse KQZ-ja konfirmon se nënshkrimet e mbledhura janë të përshtatshme dhe i verifikon ato, atëherë organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet të mbahet brenda 45 ditësh.
Që procesi për zëvendësimin e kryetarit të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.
Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka një afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur zgjedhje të parakohshme.
Por, nëse në votimin për shkarkimin e kryetarit nuk ka 50 për qind plus një votë, iniciativa konsiderohet e pasuksesshme dhe, në atë rast, Udhëzimi Administrativ parasheh që një nismë e ngjashme mund të ndërmerret vetëm pas 12 muajsh.
Cilët janë hapat e ardhshëm?
Grupi i qytetarëve nga komunat e veriut të Kosovës mori përgjigje nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës se për të nisur iniciativën për zëvendësimin e kryetarëve të komunave, ai duhet t’i kontaktojë kryetarët e kuvendeve të atyre komunave.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se në adresën e këtij institucioni, më 5 dhjetor, kanë arritur katër e-maile me kërkesën për ndërmarrjen e nismës për zëvendësimin e kryetarëve.
“Sipas akteve nënligjore të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, kjo çështje duhet të adresohet te kryesuesi i kuvendit komunal në komunat përkatëse, andaj i kemi udhëzuar që kërkesat e dorëzuara në KQZ t’i adresojnë tek autoriteti kompetent”, tha Elezi.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha më 5 dhjetor se autoritetet e Kosovës kanë treguar se “nuk janë të interesuara për ndonjë shtensionim dhe normalizim të situatës në katër komunat në veri të Kosovës”.
Duke marrë si shembull për këtë, ai tha se “përfaqësuesit shqiptarë” në komunat në veri kanë refuzuar ta pranojnë iniciativën e arsyetuar qytetare për largimin e “kryetarëve të rrejshëm dhe jolegjitimë”.
Petkoviq tha, gjithashtu, se “iniciativa qytetare është në përputhje me Udhëzimin Administrativ, të hartuar nga vetë Prishtina”.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar dhe e cila ka bërë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve të fundit lokale në veri, tha në mes të tetorit se është e gatshme të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat në veri të Kosovës.
Atëkohë, ajo nuk specifikoi nëse do ta nisë procesin e mbledhjes së nënshkrimeve për peticionin për shkarkimin e kryetarëve, por vetëm bëri thirrje për shpalljen e zgjedhjeve të reja.
Paraprakisht, më 12 tetor, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u bëri thirrje përfaqësuesve të serbëve në veri të Kosovës që ta iniciojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri, në mënyrë që “levat bazë të pushtetit të arrijnë në duart e atyre që jetojnë atje”. /rel/