Se Forca e Sigurisë së Kosovës është një forcë për të llogaritur në të, është ditë e më e qartë.
Media ballkanike që mbulon sektorin e mbrojtjes dhe të armatimeve në Ballkan “Balkan Security Network” ka shkruar rreth sistemit OMTAS turk që posedon Forca e Sigurisë së Kosovës e që për nga operacionaliteti dhe efikasiteti e tejkalon edhe senzacionin që Javelin-i i famshëm e shkaktoi në përdorimin nga forcat ukrainase kundër pushtimit rus.
Ndonëse me një gjuhë me referenca të serbëzuara dhe mosnjohëse ku FSK-së i drejtohen si “e ashtuquajtura FSK” ky rrjet ballkanik ka shkruar se FSK ka shpalosur raketat anti tank të prodhimit turk OMTAS me rreze deri në 4 kilometra që mund të asgjësojë çfarëdo tanku apo maçinerie të blinduar ushtarake.
FSK ka shtuar “aftësi e kapacitete të reja”, shkruajnë ata, referuar OMTAS-it të prodhuar nga kompania turke “Roketsan”.
OMTAS është një sistem armësh antitank me rreze të mesme që është efektiv kundër kërcënimeve të blinduara në fushën e betejës.
Kërkuesi i tij i imazhit infra të kuqe lejon përdorimin e ditës dhe të natës dhe në të gjitha kushtet e pafavorshme të motit.
Lidhja e të dhënave RF midis lëshuesit dhe raketës i siguron përdoruesit fleksibilitet operacional.
Raketa mund të përdoret në modalitetet zjarr-dhe-harro ose ndez-dhe-përditësim, dhe ofron aftësi të kyçjes para nisjes ose mbylljes pas lëshimit.
Me aftësinë e tij udhëzuese precize dhe kokën e saj tandem depërtuese të armaturës, OMTAS siguron goditje efektive kundër kërcënimeve të blinduara.
Ashtu si sistemi amerikan Javelin, OMTAS turk mund të godasë një objektiv nga lart ose nga përpara.
Ndërkaq, ky rrjet ballkanik, thotë se “prodhuesi nuk deklaron askund se sa është shpejtësia e predhës”.
“Fakti që objektivi drejtohet nëpërmjet një radiolidhje, lë të paktën një mundësi teorike që raketa mund të ‘ngatërrohet’ nga efektet elektronike ose mashtrimet infra të kuqe”.
Pesha e sistemit me trekëmbësh, stacion kontrolli dhe raketë në tubin e lëshimit është 36 kilogramë, bëhet e ditur në specifika.
“Forcat e Armatosura Turke përdorin OMTAS në dy variante, një variant celular me trekëmbësh dhe një version i nisur nga një automjet i blinduar. Një nga drejtuesit e kompanisë Roketsan njoftoi përsëri në Mars 2022 se sistemi OMTAS ishte blerë nga disa përdorues në Evropë dhe Afrikë”, bën të ditur Balkan Security Network.
“Ajo u shfaq publikisht për herë të parë në maj 2023 gjatë stërvitjes shumëkombëshe ‘Defender Europe 2023’ organizuar nga Ushtria Amerikane në disa lokacione në të gjithë Kontinentin e Vjetër”.
Vuçiq denonconte ashpër Turqinë për armatosjen e FSK-së
“Më lejoni të tregoj diçka që njerëzit nuk e dinë…”
Kështu e pati nisur Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bisedën për Kosovën në televizionin kryekëput propagandistik serb “Tv Pink” para pesë-gjashtë muajsh. Siç është rëndom në stilin e tij të bëjë, ai e identifikoi një “keqbërës” të jashtëm – Turqinë.
Forca e Sigurisë së Kosovës, thoshte ai, “po armatoset seriozisht” nga Turqia. Dronë bajraktarë, raketa anti-tank dhe topa gjuajtës me rreze të gjata tashmë janë pajisje që FSK i ka, tha ai, dhe “i ka nga Turqia”.
Për shkak se, siç vazhdonte të gëzojë iluzion ai, “FSK është një ushtri që nuk duhet të ekzistojë…Serbia më do të ndalojë blerjen e këtyre armëve nga Turqia” dhe do të kthehet kah Lindja e Mesme “ku brenda pesë muajsh do të blejmë 1 mijë dronë kamikazë”, por pa e përmendur në emër të përvetshëm Iranin.
“Dua t’u tregoj njerëzve diçka që nuk e dinë. Turqia e ka armatosur seriozisht FSK-në…Turqia u ka dhënë raketa anti-tank, dronë Bajraktarë, topa me rreze të gjatë. Këto i ka FSK-sot”.
“Ne refuzuam të blejmë bajraktarë sepse ata ia dhanë Prishtinës. Nuk do të bashkëpunojmë më me ta në këtë. Dronët kinezë, CH-90, na kanë ardhur kohëve të fundit. Brenda pesë muajsh, do të kemi 1 mijë dronë kamikazë që i kemi porositur nga Lindja e Mesme, për të parandaluar një agresor potencial”, shtonte Vuçiq.
Duke vazhduar të jepte shpjegime dhe konstatime militare, presidenti serb thoshte se Ushtria e Serbisë “është shumë e madhe se FSK” por se këta të fundit “po armatosen ditë e më shumë”; e në rend të parë, sipas tij, “përmes mjeteve turke”.
“Turqia po armatos seriozisht FSK-në e cila nuk mund të ekzistojë brenda ligjit ndërkombëtar. Por, atyre aq u bën për të drejtën ndërkombëtare. Po ndërtojnë ushtri që s’duhet të ekzistojë. Na thonë se: eh po ka ndryshuar kjo sepse janë të pavarur. Ata janë të pavarur sipas të drejtës të më të fortit, e cila erdhi nga agresioni. Turqit u dhanë anti-tank raketa, howitzera dhe bajraktarë. Krejt këto i ka FSK sot. Nuk e kanë ngritur flamurin ende sepse NATO s’ua ka dhënë. Kanë optikë imazhesh termike, me rreze të gjatë dhe ne duhet të kemi kujdes të tepërt dhe të kemi mjete adekuate nëse kërcënohen njerëzit tanë”, ka thënë Aleksandar Vuçiq.
© SYRI.net