Ky është Lulzim Hetemi, kryetari shqiptar i komunës së Leposaviçit në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe. Që prej muajit prill kur ai bëri betimin për të drejtuar këtë komunë, ai është ngujuar në zyrë dhe nuk del prej aty, madje as për festa. Hetemi punon, jeton dhe fle në zyrën e tij i ruajtur nga trupat e NATO-s dhe policia speciale e Kosovës.
Hetemi, bletarritës, u zgjodh me vetëm 100 vota në zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët etnikë që janë pakicë në të gjithë Kosovën, por që përbëjnë më shumë se 97% të popullsisë së përgjithshme të Leposaviçit.
“Kush ka dëshirë të rrijë në zyrë dhe të flejë në karrige? Siç e dini, fillimi ishte shumë i vështirë. Ky vend ishte i mbushur me policë, njësi speciale dhe njësi të mbrojtjes së afërt. Situata ishte shumë e tensionuar. Kush ka dëshirë të qëndrojë larg familjes, larg fëmijëve? Kjo është vetëm dashuria për atdheun dhe për të pasur sovranitet të plotë (edhe në veri).
Ai gjeti një shtrat për të zëvendësuar karriget dhe fle në një dhomë ngjitur me zyrën e tij, ku takohet me të dërguar ndërkombëtarë dhe zyrtarë të NATO-s, të cilët po përpiqen të parandalojnë aktet e dhunës dhe të gjejnë një opsion për zgjedhje të reja. “Kur kandidoja për kryetar komune, nuk e kisha idenë nëse serbët do të tërhiqen nga gara zgjedhore dhe do të bënin një manovër të tillë siç bënë (bojkotimin nga serbët e zgjedhjeve lokale). Kjo nuk ia vlente dhe ne jemi aty ku jemi. Nëse qytetarët serbë do të dalin të votojnë dhe të punojnë për shtetin e Kosovës, me simbolet e Kosovës sigurisht që do të largohem, jemi këtu përkohësisht. Këtë e dimë të gjithë.”
Hetemi thote se është treguar i kujdesshëm që të mos prekë asgjë që i përkiste administratës së mëparshme, përfshirë disa dhjetëra shishe me pije alkoolike. Ai shprehet se është i gatshëm të përfundojë mandatin e tij kur të shpallen zgjedhjet e reja, por ende nuk ka marrëveshje për këtë në negociatat e ndërmjetësuara nga BE-ja ndërmjet serbëve të Kosovës dhe qeverive të Serbisë dhe Kosovës.
“Nuk do ta harroj kurrë një të premte kur ushtarët amerikanë nga KFOR-i më pyetën: “Kryetar, kur planifikon të shkosh në fundjavë për të vizituar familjen tënde?” Unë u thashë se isha gati të shkoja, por pyeta nëse më garantojnë që unë do të kthehesha në orën 8 të mëngjesit (të hënën) në zyrën time. Ata thanë se nuk mund të garantonin këtë dhe më pas u thashë se më vjen keq, por nuk mund të shkoja”, tha ai për Reuters.
Ndërsa shqiptarët etnikë përbëjnë shumicën dërrmuese të 1.8 milionë banorëve të Kosovës, 50,000 serbë në veri të saj refuzojnë shtetësinë e Kosovës dhe e shohin Beogradin si kryeqytetin e tyre, 15 vjet pasi Kosova shpalli pavarësinë pas një kryengritjeje guerile. Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
“Këtu punojnë 76 njerëz dhe të gjithë janë serbë. Pra, i gjithë stafi civil është serb. Janë vetëm pesë apo gjashtë departamente (në komunën e Leposaviçit) që drejtohen nga shqiptarë.”
Trazirat në veri u intensifikuan pasi kryetarët shqiptarë etnikë morën detyrën në zonën me shumicë serbe, një veprim që bëri që SHBA dhe aleatët e saj të kritikon Prishtinën. Popullsia serbe kishte bojkotuar zgjedhjet, të cilat u zhvilluan në katër komuna veriore pasi kryetarët e tyre dhanë dorëheqjen në një mosmarrëveshje të gjatë mbi regjistrimin e automjeteve.
Rajoni verior ka parë dhunën më të keqe këtë vit që nga pavarësia, duke kulmuar në fund të shtatorit kur persona të armatosur serbë sulmuan policinë në fshatin Banjskë. Rreshteri shqiptar Afrim Bunjaku dhe tre serbë të armatosur mbetën të vrarë gjate atij sulmi.