Ekziston rreziku për përhapjen e epidemisë së fruthit, për shkak të rënies së imunizimit me vaksinën MRP, paralajmërojnë autoritetet shëndetësore. Vetëm shtatëdhjetë për qind e fëmijëve janë vaksinuar kundër fruthit vitin e kaluar. Deri tani nuk janë regjistruar raste të fruthit në vendin tonë, por rreziku është i lartë që fruthi të bartet nga vendet e rajonit, pasi aktualisht në Rumani ka epidemi.
Epidemia e vitit 2019 la pasoja në shëndetin e disa fëmijëve që pësuan infeksion, alarmojnë mjekët. Komplikimet akute vërehen menjëherë, por ndërlikimet kronike kërkojnë më shumë kohë.
“Konkretisht unë kam pasur një pacient nga klinika infektive, sepse aty janë shtruar pasi ka qenë sëmundje e karakterit epidemik, që të mos infektojmë fëmijët e Klinikës së Fëmijëve që kanë sëmundje kronike. Komplikime të tilla akute regjistrohen menjëherë. Konkretisht pacienti im kishte koksit që zgjati gjashtë muaj. Komplikimet kronike kërkojnë mbikëqyrje apo vëzhgim më të gjatë.”, – theksoi dr. Liljana Kojiq nga Klinika për Sëmundjet e Fëmijëve.
Një problem shtesë është krijuar nga lajmet e rreme në media, të cilat rrisin mosbesimin e prindërve për vaksinat, veçanërisht pasi kemi pasur një epidemi para katër vitesh.
Sivjet është regjistruar vetëm një rast me fruth në vend, në Shën Nikollë, por sëmundja nuk është përhapur pasi shkalla e imunizimit në këtë qytet është 90 për qind. Shkalla më e ulët e fëmijëve të vaksinuar është në Kumanovë, me vetëm 40 për qind. Muajt e kaluar në Kumanovë ka pasur ekipe në teren për imunizim me vaksinën MRP.