Shkruan: Ben Blushi
Imagjinoni sikur në lagjen tuaj të jetojë një njeri që di sa libra keni në shtëpi. Ose sikur në një qytet të ekzistojë dikush që di se cfarë libri ka blerë seicili në 25 vitet e fundit.
Në kohët kur interneti nuk ekzistonte, njerëzit që njihnin cdo libër që ishte botuar, quheshin bukinistë. Bukinistët dinin tirazhet, shtëpitë botuese, vitin e prodhimit dhe autorët e librave përmendësh. Në një kuptim bukinistët ishin arkiva e shkrimtarëve dhe studjuesve. Ndoshta nuk do kishte shkrimtarë pa bukinistë.
Por megjithëse me një kujtesë mekanike të pashembullt, si cdo makinë që nganjëherë ndalon, bukinistët kishin një defekt të vogël. Ata njihnin autorët, por jo lexuesit. Ata dinin gjithmonë se në cfarë viti është botuar një libër por nuk dinin se në cfarë viti e ke blerë ti atë libër. Prandaj ndoshta bukinistët sot janë shumë të rrallë. Konkurrenca me google dhe kapriciot e lexuesve i lanë shumicën e tyre pa punë.
Megjithatë në Prishtinë ekziston një bukiniste e një race të vecantë. Ajo quhet Sabahete. Ka 25 vjet që punon në librarinë kryesore të Prishtinës, në librarinë Dukagjini.
Sabahete apo Sebi sic e quajnë, njeh me emër cdo njeri që ka një libër. Ajo di që kur ke qenë 10 vjec ke blerë filan libër dhe tani që je martuar dhe je bërë me fëmijë, ke ardhur të blesh një libër për fëmijën tënd. Nuk ka shtëpi në Prishtinë që nuk ka një libër të cilën nuk e ka sugjeruar Sabahetja dhe nuk e ka prekur Sabahetja.
Sabahetja i njeh lexuesit me emër dhe mbiemër, njeh moshën e tyre, adresën, kë kanë komshi,ku punojnë, ajo di ditëlindjet e tyre, kur janë martuar, me kë janë martuar, kur janë të lumtur, kur vuajnë, kur sëmuren dhe kur shërohen. Sabahetja e ndjen kur dikush ikën dhe atëherë mbyll një libër sic mbyllet kapaku i një jete.
Nëse më pyesni nga i di ajo gjithë këto gjëra duhet të njihni Sabaheten. Si një fallxhore ajo e lexon jetën e qytetit nga ritmi i shitjes së librave. Kur shiten pak libra qyteti vuan, është i lodhur dhe i ngrysur. Sabahetja mund të parashikojë një luftë, një ndryshim apo një revolucion nisur nga humori i lexuesve të saj. Sabahetja e di se kur njerëzit nuk lexojnë, e neserërmja është e pa sigurt dhe e keqe.
Por, kur njerëzit lexojnë, Sabahetja del tek dera e librarisë, shikon rrugën e mbushur, duke menduar se librat e kanë bërë botën një vend më të mirë. Leximi është besimi i Sabahetes dhe këtë fe ajo ia mëson të tjerëve sic mësohet cdo fe : përmes librave.
Kjo është Sabahetja. Një monument kulture që mbrohet nga lexuesit e saj. Unë nuk e shijoj dot Prishtinën pa Sabaheten. Ajo i ngjan atyre njerëzve që mbajnë në qafë celësat e qytetit si një stoli dhe kjo është arsyeja pse ia dedikova këtë portret të merituar.