Një model i dhomës së shkatërruar u vendos përpara ndërtesës së komunës Ramallah në Bregun Perëndimor të pushtuar, në vend të bredhit të Krishtlindjes, për të tërhequr vëmendjen për shkatërrimin që kanë shkaktuar sulmet izraelite në Rripin e Gazës, i cili është ende në vazhdim, raporton Anadolu.
“Po festojmë Krishtlindjet nga Ramallahu me plagën e Gazës në zemrat tona. Si do ta presim Vitin e Ri? Si është e mundur kjo në një mjedis lufte? Më shumë se 20 mijë palestinezë të vrarë, dhjetëra mijëra të plagosur, mijëra të arrestuar. A mund të buzëqeshim për Krishtlindje në këtë situatë”, pyeti kryebashkiaku i Ramallahut, Isa Kassis.
Duke theksuar se Palestina ka humbur shumë fëmijë, Kassis deklaroi se për këtë arsye kanë vendosur që të mos vendosin pemën e Krishtlindjes para ndërtesës së komunës në Ramallah, ndryshe nga siç bëjnë çdo vit.
Ai tha se për këtë arsye është vendosur simbolikisht modeli i dhomës së rrënuar para ndërtesës së komunës.
“Ne vendosëm të vendosim një dhomë të shkatërruar në vend të bredhit”, tha Kasis.
Gjithashtu, në meshën e Krishtlindjeve në Ramallah, besimtarët u lutën për Gazën dhe për përfundimin e luftës.
Izraeli ka sulmuar Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i grupit palestinez Hamas më 7 tetor, duke vrarë të paktën 20.424 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe duke plagosur 54.036 të tjerë, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë.
Sulmi izraelit e ka lënë Gazën në gërmadha, ku gjysma e banesave të territorit bregdetar janë dëmtuar ose shkatërruar dhe gati 2 milionë njerëz janë zhvendosur brenda enklavës me popullsi të dendur, ndërsa përballen me mungesë ushqimi dhe uji të pastër.