Ditën e nesërme (28 dhjetor) në orën 15:00 GJKKO do të shpallë vendimin për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj Sali Berishës kërkuar nga SPAK, nga “detyrim paraqitje” në “arrest shtëpie”.
Kërkesa e SPAK mbërriti në gjykatë të shtunën, pas marrjes në Kuvend të autorizimit për heqjen e imunitetit të Berishës më 18 dhjetor.
Kërkesa për ashpërsimin e masës së sigurisë ndaj Berishës erdhi pasi ky i fundit kundërshtoi si antikushtetuese masat e mëparshme të detyrimit për paraqitje dhe ndalim të daljes jashtë shtetit, duke mos i zbatuar ato. Kodi i Procedurës Penale parashikon zëvendësimin e masës në raste të tilla.
Berisha ka mohuar akuzat dhe ka deklaruar në vazhdimësi se procesi kundër tij është porositur nga kundërshtari politik, kryeministri Edi Rama.
Në tetor të këtij viti, SPAK arrestoi Jamarbër Malltezin, dhëndër i ish-kryeministrit Sali Berisha, si person i dyshuar se ka përfituar miliona euro në mënyrë të parregullt, falë vendimeve të qeverisë, në kohën kur kryeministër ishte Sali Berisha.