Dy të rinjtë shqiptarë që sulmuan me thikë gjatë grabitjes një të moshuar grek, janë zbuluar nga mbetjet e ushqimit dhe një kanaçe me pije energjike, të cilat ishin në skenën e krimit.
Sipas mediave greke, policia ka arritur të gjejë të riun shqiptar, i cili goditi me thikë 73-vjeçarin dhe bashkëpunëtorin e tij 18-vjeçar, nga mbetjet e ushqimit dhe pija energjike e lënë pas, shkruan News24.
Dy autorët kishin marrë ushqim dhe pije nga një market pranë banesës së të moshuarit, punonjësi i të cilit arriti t’u shihte fytyrat.
Ndërkohë, 73-vjeçari i cili ishte viktima e grabitjes brutale me thikë në shtëpinë e tij në Kefaloni, po lufton për të qëndruar gjallë në Spitalin e Janinës.
25-vjeçari shqiptar e ka goditur me thikë në bark, kofshë dhe brinjë, pasi fillimisht i ka kërkuar para.
Dy shqiptarët fillimisht thyen dritaren e shtëpisë së të moshuarit në Agia Efimia, dhe 25-vjeçari hyri në shtëpi ndërsa 18-vjeçari bënte roje.
Sipas ERT, kur 73-vjeçari ka hyrë në shtëpinë e tij, 25-vjeçari shqiptar e ka sulmuar me thikë, duke e goditur afërsisht 10 herë në bark dhe në pjesë të tjera të trupit. Më pas dy grabitësit u larguan.
Viktima arriti të dilte në rrugë i gjakosur dhe të thërriste ndihmë, ndërsa dy shqiptarët u arrestuan pasditen e së enjtes.