Ekuadori është zhytur në kaos, ndërsa vendi është nën pushtetin e bandave kriminale.
Kjo ka bërë që presidenti i vendit të urdhërojë që të gjitha bandat kriminale të neutralizohen pasi dhuna kulmoi me sulmin e kriminelëve në një studio televizive.
Persona të maskuar dhe të armatosur u futën në studion televizive të kanalit TC në qytetin e Guajakilit gjatë një transmetimi live. Policia arrestoi 13 persona pas sulmit, kurse dy punonjës u plagosën.
Presidenti Daniel Noboa tha se në vend tani ekziston një konflikt i armatosur i brendshëm. SHBA është angazhuar për të bashkëpunuar me qeverinë e Ekuadorit. Kurse Peruja fqinje ka dërguar ushtrinë në kufi për të parandaluar që destabiliteti të shpërndahet në vende të tjera.
Por ndërkohë, media të shumta ndërkombëtare fajësojnë bandat meksikane dhe ato shqiptare për dhunën që ka përfshirë Ekuadorin vitet e fundit.
“Kartelet nga vendet e largëta si Meksika dhe Shqipëria kanë kërkuar një pjesë të tregtisë ekuadoriane të drogës dhe po financojnë operacionet lokale. Në qendër të kaosit është eksporti i kokainës- një burim i madh i pasurisë për bandat e Ekuadorit për shkak të rritjes së kultivimit në Kolumbinë fqinje dhe viteve të tëra me kontroll të dobët policor,” shkruan gazeta britanike ‘Guardian’.
Edhe gazeta tjetër britanike, ‘Daily Mail’ shkruan se në lojë nuk janë vetëm bandat kolumbiane dhe meksikane, por edhe ato shqiptare.
“Siç zbuluam vitin e kaluar, gangsterët shqiptarë kanë ndërhyrë gjithashtu për të marrë kontrollin e rrugës fitimprurëse të trafikut të drogës mes Ekuadorit, Britanisë së Madhe dhe Europës.
Gazeta ekspozoi se si kapot shqiptarë dhe vartësit e tyre po kontrollojnë çdo aspekt të tregtisë deri në pikën përfundimtare- në një treg kokaine që vetëm në Britani kap vlerën e 2 miliard sterlinave.
Shqiptarët filluan të mbërrijnë në Ekuador një dekdë më parë, jo shumë kohë pasi presidenti Correa vendosi që të huajt të qëndrojnë gjashtë muaj pa vizë. Në fakt, ai po hapte dyert për trafikantët shqiptarë- për të cilët ishte një mundësi e artë”.
© SYRI.net