Deputeti i Nismës për Kosovën, Haxhi Shala druan se skenari i Gjykatës Speciale mund të përsëritet në rastin e demarkacionit me Malin e Zi. Partnerët e koalicionit, sipas tij, mund ta rikthejnë sërish për votim demarkacionin edhe nëse dështon në seancën për demarkacionin, e cila pritet të mbahet në pjesën e parë të muajit mars.
“Për mendimin tim ajo marrëveshje është mirë të sillet në Kuvend, por besoj se nuk do të ketë vota të mjaftueshme për ta kaluar edhe nëse herën e parë nuk i merr votat e mjaftueshme dhe insistojnë qe ta sjellin një ditë tjetër ata do të bëjnë gabim edhe më të madh”, ka thënë Shala për ‘Indeksonline’.
Numri i deputetëve kundërshtues të këtij versioni, sipas tij po rritet dita ditës.
Sa i përket komisionit për matjen e territorit, Shala thotë se ata nuk kanë bërë kurrfarë pune, por vetëm janë munduar ta arsyetojnë marrëveshjen e nënshkruar nga Qeveria në gusht të vitit 2015
“Deputetët duhet të jenë të pavarur për të vendosur, sepse përgjegjësia do të bie direkt mbi ta dhe nuk mund të fshihen prapa liderëve”, ka shtuar Shala.
Opozita, sipas tij, nuk po e prolongon procesin e liberalizimit të vizave, sepse koalicioni është i madh dhe duhet t’i bëjnë numrat për të kaluar projektligje.
Krejt në fund, deputeti Shala ka thënë se deputetët e Nismës dhe AAK-së nuk do të gjuajnë me gaz në Kuvend për ta kundërshtuar këtë marrëveshje duke shtuar se kundërshtimi do të bëhet në forma të ndryshme.
Në anën tjetër, krerët e shtetit po insistojnë në ratifikimin e versionit aktual të demarkacionit. Nëse votohet demarkacioni tani, sipas tyre, në qershor do të ndodhë liberalizimi i vizave./Indeksonline/