Gazetare: Fatlume Dervishi
Të hënën në Gjykatën Kushtetuese do të dorëzohet iniciativa e parë për të shfuqizuar ligjin për ndryshim të dokumenteve personale, me emrin e ri të shtetit. Këtë do ta bëjë VMRO-DPMNE-je e cila vlerëson se procesi për ndryshim të dokumenteve me këtë ritëm, do të marrë kohë me vite. Kreu i kësaj partie Hristijan Mickoski thotë se për momentin nuk ka terminë dhe MPB-ja nuk ka ekzemplarë të nevojshëm për të mbuluar nevojat deri në afatin e paraparë në shkurt.
“Janë dhënë rreth 1 milion e 200 mijë pasaporta deri në këtë moment dhe mbeten rreth edhe 1 milion e 300 mijë sepse gjithsej janë rreth 2 milion e 500 mijë që duhet të ndryshohen. Nga ato që kanë mbetur, vetëm për t’u fotografuar duhet të paktën 1 vit, duke pasur parasysh se brenda një ditë ka 4 mijë kërkesa. Kështu që kjo është e pamundur të arrihet në shkurt. Për më tepër informacionet thonë se kemi rreth 30 mijë ekzemplarë për pasaporta në MPB dhe 10 mijë në dygjuhësi. Kjo d.m.th. se mjafton të mbulohen vetëm ata për të cilat është bërë kërkesë deri tani”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Mickoski thotë se nëse Gjykata Kushtetuese ka vullnet për ta zgjidhur problemin, mund të caktojë seancë menjëherë dhe ta shfuqizojë ligjin.
Pushteti nga ana tjetër, prej ditësh ka hedhur idenë e shtyrjes të afatit për ndryshim të dokumenteve personale. Presidenti Pendarovski propozoi vazhdimin e afatit të vlefshmërisë dhe zëvendësimit të dokumenteve personale dhe dokumenteve të udhëtimit kurse qeveria tha se do ta shqyrtonte propozimin. Për më tepër, Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se Presidenti mund të flasë për këtë gjë, me homologen e tij, Presidenten e Greqisë.
Alsat drejtoi pyetje në Kabinetin e Presidentit Stevo Pendarovski, nëse dhe kur do të bisedojë me Presidenten e Greqisë. Nga Kabineti thonë se iniciativa duhet të jetë e Qeverisë, kurse Presidenti mund të japë ndihmën e tij. Deri në këtë moment, thonë ata, nuk ka zhvillim tjetër në këtë drejtim.
“Marrëveshja e Prespës është nënshkruar nga ministrat e Punëve të Jashtme, në emër të qeverive të dy vendeve, dhe shkëmbimi i informacionit në këtë kontekst duhet të bëhet në këto korniza. Duke qenë se Marrëveshja e Prespës është gjithashtu e rëndësishme në kuadrin e negociatave tona me Bashkimin Evropian, informimi në Bruksel duhet të bëhet edhe përmes Sekretariatit për Çështje Evropiane. Në kuadër të përpjekjeve të përgjithshme të shtetit, presidenti Pendarovski është i gatshëm të japë kontributin e tij përmes komunikimit me Presidentin e Republikës së Greqisë”, thonë nga Kabineti i Presidentit, Stevo Pendarovski.
Pritjet e gjata dhe ndonjëherë me ditë të tëra, nëpër sportelet e MPB-së, sipas prononcimit të mëhershëm të Presidentit janë nënçmim i turpshëm për qytetarët.
Vendi mori detyrim për ndryshim të dokumenteve personale dhe dokumenteve të udhëtim me emrin e ri të shtetit nga Marrëveshje e Prespës e vitit 2018. Afati i fundit për ndryshimin e tyre është 12 shkurti i këtij viti. Megjithatë institucionet kanë thënë se nuk do të ketë dënim për ata që nuk i ndryshojnë dokumentet brenda afatit./Alsat.mk