OKB: Dy nëna vriten çdo orë – 16 mijë gra dhe fëmijë të vdekur në Gaza

Kombet e Bashkuara (OKB) duke tërhequr vëmendjen se numri i të vdekurve në Gaza ka tejkaluar 25 mijë, kanë theksuar se “çdo orë vriten dy nëna”, transmeton Anadolu.

Zv/sekretari i Përgjithshëm i OKB-së për çështjet humanitare dhe koordinatori për ndihma emergjente, Martin Griffiths, ndau një mesazh nga llogaria e tij në median sociale X.

Duke bërë të ditur se spitalet e mbipopulluara në Gaza ndodhen nën bombardime, Griffiths theksoi se shtëpitë janë kthyer në rrënoja.

Griffiths më tej tha se zonat e sigurta janë kthyer në zona të rrezikshme.

“Që nga 7 tetori e deri më tani nuk ka rënie të mizorive kundrejt Gazës”, tha Griffiths, i cili shtoi se në Gaza çdo orë vriten dy nëna.

Në sulmet e Izraelit në rripin e Gazës që nga 7 tetori e deri më tani janë vrarë 25.295 palestinezë, përfshirë të paktën 10.800 fëmijë dhe 7.250 gra, ndërkohë që janë plagosur gjithashtu dhe 63 mijë njerëz.

Teksa raportohet se mijëra të vdekur ndodhen ende nën rrënoja, thuhet se po shkatërrohet edhe infrastruktura civile duke shënjestruar spitalet dhe institucionet arsimore ku është strehuar popullsia.

Ndërkohë të paktën 3000 gra mund të jenë bërë të veja dhe kryefamiljare dhe të paktën 10 mijë fëmijë mund të kenë humbur baballarët e tyre, shtoi agjencia.

Nga 2.3 milionë banorët e Gazës, 1.9 milion u zhvendosën dhe “afër një milion janë gra dhe vajza” që kërkojnë strehim dhe siguri, tha UN Women.

“Sado që të mbajmë zi sot për situatën e grave dhe vajzave të Gazës, ne do të mbajmë zi edhe më tej nesër pa ndihmë të pakufizuar humanitare dhe një fund të shkatërrimit dhe vrasjeve”, tha drejtoresha ekzekutive e UN Women, Sima Bahous.

“Këto gra dhe vajza janë të privuara nga siguria, mjekësia, kujdesi shëndetësor dhe strehimi. Ato përballen me urinë. Mbi të gjitha janë të privuar nga shpresa dhe drejtësia”, shtoi ajo.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme