Një sherr mes dy fqinjëve ka ndodhur në Lezhë, për motive të dobëta. Mësohet se shkak i konfliktit mes Kolë Ndrecës dhe Lekë Prengës ka qenë toka.
68-vjeçari denoncoi rastin e dhunës, duke thënë se i kishte kërkuar fqinjit Lek Prengës mos të fuste dhitë në tokën e babait të tij dhe në këtë moment janë përleshur.
Më pas, tregon Ndreca, Prenga ka marrë në telefon djalin e tij, Simonin, dhe pasi tështë përleshur dhe me të, ai e ka goditur me lopatë duke i prerë gishtin.
“Me bashkëfshatarin kemi disa vite që kemi hatërmbetje. më hyri në tokë të babait, tek vëllai. Futi dhitë në vendin e babit, i kërkova t’i largonte por më tha që ishte toka e vëllait jo e imja. Kapi lopatën dhe më goditi. U përleshëm tek për tek. Mori djalin e vet në telefon dhe më dolën para të dy. Djali më shau. Unë e kapa prej fyti dhe ai ma futi me lopatë dhe me preu gishtin.
Ka ardhur policia pasi kam bërë denoncim. Në urgjencë nuk më shërben askush.
Dua të mjekohem dhe të marr një dokument që jam dëmtuar.
Shteti të marrë masa, Ose unë ose ata. Nëse shteti nuk merret me ta do merrem unë”, deklaroi Ndreca për gazetarët.
Pas denoncimit të ngjarjes, ka reaguar policia, duke arrestuar Lek Prengën dhe gjithashtu ka nisur hetim për djalin e tij
Njoftimi i policisë për ngjarjen:
Kanosën dhe goditën me send të fortë, fqinjët, për shkak të konflikteve për motive pronësie, arrestohet 56-vjeçari dhe procedohet penalisht djali i tij.
Menjëherë pas kallëzimit të 68-vjeçarit Kol Ndreca, mbrëmjen e djeshme, se 2 shtetas (fqinjë të tyre) kishin kanosur dhe kishin goditur me send të fortë (lopatë), atë dhe djalin e tij, Simon Ndreca, pas një konflikteve për motive pronësie, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë kanë organizuar punën për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit përgjegjës.
Për këtë rast u kap dhe u vu në pranga shtetasi Lek Prenga, 56 vjeç, si dhe u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për djalin e tij, shtetasin Zef Prenga, 30 vjeç, të dy banues në fshatin Ungrej, Lezhë.
Rreth orës 19:00, të datës 23.01.2024, dyshohet se për shkak të konflikteve ndërmjet tyre, për motive pronësie, këta shtetas kanë kanosur shtetasit N. K., 68 vjeç dhe S. K., 32 vjeç, si dhe i kanë goditur ata, me një send të fortë (lopatë).
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.