Vuçiqi e arsyeton sulmin e grupit paramilitar në Banjskë dhe armatimin që u kap në këtë fshat

Për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sulmi në Banjskë ishte mbrojtje e vatrës së tyre nga një grup serbësh. Ai po ashtu ka relativizuar futjen e armëve në këtë fshat, duke thënë se edhe Forca e Sigurisë së Kosovës po armatoset, sipas tij, jashtëligjshëm. Ka paralajmëruar edhe hetim për shtetet që po e armatosin FSK-në

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq, ka arsyetuar futjen e armatimit në Kosovë, e që u përdor nga një grup paramilitar serb për sulmin terrorist ndaj Policisë në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023. Në sulmin mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.

I pyetur për rolin e Serbisë në kontrabandën e armëve dhe nëse Serbia do ta fillojë ndonjë hetim, ai relativizoi, duke thënë se edhe Forca e Sigurisë e Kosovës po armatoset, sipas tij, jashtëligjshëm.

“Thonë se në Banjska ka pasur armë, pushkë, granata dore, raketa. Mirëpo, ata sollën ‘Vuran’, ‘Javelin’, e nuk e di çfarë tjetër. Të gjitha këto i sollën ilegalisht. Ju nuk jeni të interesuar se çfarë po bëjnë të huajt kundër Serbisë, çfarë po bëjnë shqiptarët kundër Serbisë, çfarë po bën Kurti kundër Serbisë. Juve ju intereson se si ta ndëshkoni Serbinë, sepse disa serbë deshën t’i mbronin vatrat e tyre”, tha Vuçiq.

Vuciqi po ashtu tha se Serbia është duke e shqyrtuar idenë që ta nisë një hetim ndaj shteteve që janë duke e furnizuar FSK-në me armatim.

“Unë po mendoj se si të nis një hetim për armatosjen e të ashtuquajturës Forca e Sigurisë së Kosovës dhe të gjithë ata që po ndihmojnë në këtë armatosje – në kundërshtim me Rezolutën 1244. Dua të hetoj se kush e shkeli dhe si e shkelën Kartën e Kombeve të Bashkuara, dhe si guxuan ta bëjnë atë”.

FSK-ja është në fazën e transformimit 10-vjeçar si ushtri.

Së fundi, Departamenti Amerikan i Shtetit konfirmoi pranimin e kërkesës nga Kosova për blerje të 246 raketave kundër automjeteve të blinduara, “Javelin”.

Kërkesa i është përcjell Kongresit për miratim me arsyetimin e Departamentit të Shtetit se shitja e këtyre pajisjeve nuk e ndryshon balancën ushtarake në rajon.

Për sulmin në veri, Kosova ka akuzuar Beogradin zyrtar se e ka organizuar, ka trajnuar grupin paramilitar dhe se e ka armatosur rëndë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme