Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj ish-ambasadorit të Kosovës në Maqedoni, Gjergj Dedaj për kanosje ndaj Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Lajmin e ka konfirmuar Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
“Më datë 20.10.2023, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër personit me inicialet Gj.D., në drejtim të veprës penale “Kanosja”, nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, tha ajo.
Pas shkarkimit nga pozita e ambasadorit, Dedaj në një deklaratë dhënë në T7, kishte thënë se ndihet i rrezikuar nga siç e ka quajtur ai “Klani i Osmanit”, duke përmendur presidenten Osmani dhe bashkëshortin e saj, Prindonin.
Dedaj kishte thënë se është njeri i ligjit, por kishte theksuar se përveç ligjit, te ai dhe familja e tij që vjen nga Malësia e Gjakovës, vepron edhe Kanuni i Lekë Dukagjinit.
“Unë jam i ligjit, mirëpo na jemi shqiptarë. Nuk mundesh dikë që ja ki inati me e vra. Unë jam i rrezikuar, nga Klani i Osmanit, i Vjosës dhe bashkëshorti i saj, nga njerëzit e saj dhe i listës Guxo. Nuk di që duhet me pasë kërcënim tjetër kur ta rrezikon jetën, të len të paftyrë, të hjekë prej listës së pagave. Përveç ligjit të unë dhe familja ime te Malësia e Gjakovës vepron edhe kanuni i Lekë Dukagjinit. Nëse me shkel dikush, me vret dikush ka mu vra edhe ai. Edhe ai ka me pasë pasoja. Presionin që janë kah ma bajnë”, kishte thënë Dedaj.
Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj edhe gjatë dëshmisë së tij në Hagë ka deklaruar se presidentja Vjosa Osmani, e ka shkarkuar nga pozita e ambasadorit për qëllime politike.
“Kam qenë ambasador i Republikës së Kosovës dhe jam largu dhunshëm, brutalisht dhe politikisht nga e ashtuquajtura presidente Osmani për qëllime politike, sepse në vend timin e ka dërgu burrin e saj”, ka thënë Dedaj.
Dedaj ka deklaruar se ka shërbyer në disa poste publike, përfshirë deputet, ministër, dhe ambasador.