TRANSFERIMI I DYSHIMTË I 134 MIJË EUROVE NGA LLOGARIA E SHTETIT NË BANKËN PËR BIZNES

Mbi 130 mijë euro dyshohet se janë përfituar kundërligjshëm nga Banka për Biznes. Ato i janë transferuar nga Ministria e Financave në vitin 2014, ndonëse kontrata mes BPB-së dhe ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për shpërndarjen e pensioneve kishte skaduar, sipas auditorëve. Dy ministritë heshtin dhe nuk japin përgjigje për konkludimet e auditorëve.

Banka për Biznes dyshohet se ka përfituar kundërligjshëm mbi 130 mijë euro nga shteti. Ministria e Financave e transferoi këtë shumë parash në llogarinë e kësaj banke, gjatë periudhës mars-qershor të vitit 2014. Ky transferim parash ishte bërë ndonëse nuk kishte kontratë të lidhur mes shtetit dhe BPB-së, sipas auditorëve shtetëror.

Kontrata për shpërndarjen e pensioneve për përfituesit e skemës sociale e lidhur mes Bankës për Biznes dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale kishte skaduar në mars të vitit 2014.

“Ministria e Financave pa nënshkruar memorandum të mirëkuptimit dhe pa marrëveshje me Ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) kishte bërë pagesa për Bankën Private të Biznesit (BPB) në emër të provizioneve bankare në lidhje me shpërndarjen e pensioneve për përfituesit e skemës sociale”, kanë zbuluar auditorët. Këtë gjetje auditorët e kanë publikuar në raportin e auditimit të vitit 2014, të Ministrisë së Financave, raporton Insajderi.

“MPMS-së i kishte skaduar kontrata me BPB me datën 15.03.2014. Për periudhën mars-qershor 2014, MF kishte kryer pagesën në BPB në vlerë prej 134,412€ në mungesë të kontratës valide”, theksohet në këtë raport.

Dy ministritë e përfshira në këtë rast, Ministria e Financave dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, kanë heshtur kur janë pyetur për mbi 130 mijë eurot e dyshimta që i përfitoj Banka për Biznes.

Ministria e Financave heq përgjegjësinë nga vetja, “fajëson” MPMS-në

Ndonëse të gjeturat e bëjnë përgjegjëse Ministrinë e Financave, zyrtarët e saj nuk kanë dashur të japin sqarime lidhur me to, përkundër faktit që pyetjet i janë dërguar para tri javësh. Kanë sugjeruar që pyetjet t’i bëhen Ministrisë së Punës së Mirëqenies Sociale. Ministria e Financave, sipas auditorëve, nuk kishte memorandum të lidhur me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale për të transferuar këtë shumë para, sipas auditorëve. Ministria e Financave nuk ka komentuar për kët konkludim të auditorëve.

“Sa i përket pagesave të provizioneve bankare në lidhje me shpërndarjen e pensioneve për përfituesit e skemave sociale, ku me theks të veçante është skadimi i Memorandumit të Mirëkuptimit  ndërmjet MPMS dhe BPB mund të drejtoheni te MPMS dhe atje gjeni marrëveshjen me shkrim për vazhdimin e kryerjes së shërbimeve të dt.22.05.2014 pasi që kjo është kompetencë e tyre”, ka thënë Muharrem Shahini, drejtor i Zyrës për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Financave.

Ekzistimin e kësaj marrëveshje nuk e ka pohuar Banka për Biznes, të cilët i kanë dërguar Insajderit vetëm kërkesën e MPMS-së që i’u është dërguar në prill të vitit 2014.

Ekzistimin e saj nuk e ka pohuar as Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Zyrtarët e saj kanë vepruar ngjashëm me ata të Ministrisë së Financave. Nuk kanë dashur të japin përgjigje për këtë rast. Zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë konfirmuar pranimin e pyetjeve, por më pas nuk kanë dhënë kurrfarë sqarimi në pyetjet e dërguara para tri javësh.

“Unë pranova pyetjet tuaja dhe do mundohem sa më shpejt të marr përgjigjet e duhura dhe do kontaktojmë”, është përgjigjur nëpërmjet e-mailit Njomza Ibishi, zyrtare për informim në këtë ministri.

Por, kjo ministri nuk ka kthyer përgjigje edhe pas dy javë insistimi nga Insajderi. Të dy ministritë nuk kanë dhënë përgjigje se pse nuk kishte memorandum mirëkuptimi, të nënshkruar mes tyre lidhur me pagesën për shpërndarjen e pensioneve të skemës sociale.

BPB: Kishim kontratë me shtetin, paratë i morëm ligjërisht

Derisa zyrtarët shtetëror të dy ministrive nuk japin përgjigje për veprimet e tyre, Banka për Biznes nuk pajtohet me të gjeturat e auditorëve.

Ndonëse Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka konkluduar se pagesat ishin bërë në mungesë të kontratës, zyrtarëte e BPB kanë pohuar se “Çdo pagese e realizuar eshte konform kontratave qe BPB ka me MPMS”.

“BPB për gjithë periudhën e operimit ka qene e mbuluar me kontrata, në bazë të së cilave edhe ka kryer obligimet kontraktuale”, thuhet në përgjigjën e Bankës për Biznes, dhënë Insajderit. Bazuar në përgjigjet e zyrtareve të kësaj banke, BPB kryen shërbimin e pagesave të asistencës sociale dhe pensioneve, për më shumë se 13 vjet.

“Gjatë tërë kësaj periudhe, bashkëpunimi me MPMS-në ka qenë në nivel të lartë dhe ka kontribuar në shërbimin e kësaj kategorie të popullatës. BPB ka kontratë me MPMS-ne për vitin 2014 që e mbulon edhe periudhën e cekur”, thuhet në përgjigjet e BPB-së.

Drejtuesit e kësaj banke i kanë dërguar Insajderit një shkresë të vitit 2014. Aty tregohet se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Social i ka kërkuar BPB-së që të vazhdonte me shpërndarjen e ndihmave sociale.

Shkresa mban datën 4 prill 2014 dhe është titulluarKërkesë për shpërndarjen e ndihmave sociale”.

Atëkohë, shkresa e Muhamet Gjocajt, drejtorit të departamentit për politika sociale, i është  dërguar drejtorit gjeneral të atëhershëm të bankës, z. Richard Beasley dhe zv/ drejtorit Shpend Nura.

“Pas disa takimeve të mbajtura në mes të përfaqësuesve të MPMS-së, Bankës Për Biznes, Thesari i Buxhetit dhe Shoqatës së Bankave lidhur me Memorandumin e Mirëkuptimit për shpërndarjen e pensioneve dhe të pagesave të ndihmave sociale, për të cilën akoma nuk kemi arritur ndonjë marrëveshjeje, dhe me gjasë për këtë do të na duhet edhe një kohë. Andaj kërkojmë nga BPB-ja që edhe për muajin prill, maj dhe qershor 2014 të bëjë shpërndarjen e ndihmave sociale. Kërkojmë nga menaxhmenti i BPB-së që për këtë të keni mirëkuptim”, theksohet në këtë shkresë.

Megjithatë, Ligji i Prokurimit kërkon që autoritetet shtetërore të nisin procedurat për kontraktimin e kompanive private disa muaj para se të skadojë kontrata me ofruesin aktual të shërbimeve.

Nisja e procedurave tenderuese para se kontrata të skadojë, bëhet me qëllimin për t’i ofruar mundësi të barabartë të gjithë konkurrentëve në garë dhe për të eliminuar mundësinë që të bëhen pagesa për kontraktual, edhe pas skadimit të kontratës. /Insajderi.com

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme