Hiqet bilbordi me Vuçiqin, Gjokoviqin e Putinin në Zveçan

“Në Republikën e Kosovës nuk ka vend për figura të diktatorëve, të pushtuesve, agresorëve. Ne jemi një vend demokratik, i përcaktuar qartë për vlera perëndimore, prandaj që nga sot në asnjë cep nuk do të lejohen simbolika të diktatorëve apo të vendeve të cilat janë agresore në raport me Kosovën dhe gjithë shtetin e saj”, ka shkruar Sveçla në Facebook, tek ka postuar edhe një video të punëtorëve të kontraktuar nga Qeveria për largimin e bilbordit

Dy ministra të Qeverisë dhe një grup punëtorësh kanë qëndruar të enjten në Zveçan për heqjen e një bilbordi, në të cilin figuronin fotografitë e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Krahas tyre, në këtë bilbord ishin edhe fotografitë e tenistit serb, Novak Gjokoviq, kirurgut Zoran Krivokapiq, diplomatit jugosllav Kostiq, ish-drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, dhe kryetarit të Komitetit të Republikës Sërpska për ndihmë për serbët në Kosovë, Milorad Arllviq, të cilët u patën shpallur qytetarë nderi nga strukturat ilegale dhe që në të shkuarën edhe u patën shprehur publikisht kundër shtetësisë së Kosovës.

I pranishëm në aksionin e heqjes së bilbordit, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se simboli i vetëm i Serbisë përbrenda Kosovës do të jetë Ambasada e saj në Prishtinë.

“Në Republikën e Kosovës nuk ka vend për figura të diktatorëve, të pushtuesve, agresorëve. Ne jemi një vend demokratik, i përcaktuar qartë për vlera perëndimore, prandaj që nga sot në asnjë cep nuk do të lejohen simbolika të diktatorëve apo të vendeve të cilat janë agresore në raport më Kosovën dhe gjithë shtetin e saj”, ka shkruar Sveçla në Facebook, tek ka postuar edhe një video të punëtorëve të kontraktuar nga Qeveria për largimin e bilbordit.

E ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi, ka thënë se simbolet provokuese dhe mesazhet që nxisin urrejtje do të largohen nga çdo komunë e vendit, pa përjashtim.

“Këto duhet të largohen për shkak se orientimi i Kosovës nuk mund të pranojë figura të tilla kontraverse për globin dhe rajonin tonë. Kështu që ky është vetëm një aksion i cili do të vazhdojë edhe me largimin e simboleve dhe shenjave të tjera të cilat nuk janë në përputhje me legjislacionin në fuqi në Kosovë”, ka thënë ai.

Bilbordi ka qenë i vendosur afër fshatit Banjskë, ku më 24 shtator të vitit të shkuar një grup i armatosur serb e sulmoi policinë, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Në shkëmbim të zjarrit janë vrarë edhe tre nga sulmuesit serbë. Tenisti serb Gjokoviq i pati nderuar sulmuesit e vrarë serbë në Banjskë nëpërmjet disa postimeve në rrjete sociale. Përgjegjësinë për organizimin e sulmit e ka marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që e gëzon mbështetjen e Serbisë.

Kosova e akuzon Serbinë se qëndron pas sulmit. Serbia nuk e pranon shtetësinë e Kosovës, ndërsa kultivon lidhje me Rusinë teksa është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk i ka vendosur sanksione shtetit të Vladimir Putinit pas nisjes së luftës në Ukrainë, në shkurt të 2022-s.

Bashkimi Evropian (BE) i ka bërë thirrje disa herë Beogradit zyrtar që të veprojë në përputhje me politikën e jashtme të bllokut evropian, përfshirë zbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë, “pasi diçka e tillë është e domosdoshme në rrugën e tij drejt integrimeve evropiane”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme