Detaje të reja janë mësuar për rastin e ngujimit të dy grave dhe një vajze të mitur në Tiranë nga Jetnor Zhaboli.
Zhaboli kishte 10 vite i martuar me bashkëshorten.
Ai ishte xheloz në mënyrë të tmerrshme, duke ia ndaluar të gjitha lëvizjet, edhe për të punuar. Xhelozia dhe sjelljet agresive të dhunës janë shtuar shumë në vitet e fundit. Asnjëherë në drejtim të policisë nuk ka pasur një denoncim nga gruaja dhe nëna e tij, por policia është mësuar me rastin pas informacioneve në rrugë operative dhe ka ndërhyrë.
Bashkëshortja e tij, për shkak të situatës shumë të rënduar të dhunës, disa herë më herët ka tentuar të kryej vetëvrasje. Burime bëjnë me dije se ka dyshime që Zhaboli të ketë probleme të shëndetit mendor, por do të jetë ekspertiza që do të bëhet në vijim për të përcaktuar situatën e tij mendore.
Edhe pse nuk kishte një denoncim, efektivët e Komisariatit nr. 1 trokitën në derën e Zhabolit, por dera ishte e kyçur. Më pas kanë gjetur 35-vjeçarin, i cili i ka futur brenda në banesë. Bashkëshortja e tij nuk ka thënë asnjë fjalë para hetuesve.
Ka qenë nëna e tij, Hume Zhaboli, e cila ka treguar se i mbante të kyçur dhe ushtronte dhunë mbi të tre. Bashkëshortja e Zhabolit për shkak të situatës nuk është në gjendje të mirë psikologjike. Në banesë janë gjetur letra të shumta lamtumire për shkak të tentativës për vetëvrasje.
© SYRI.net