Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë për Ekonomia Online se zgjedhjet e parakohshme në katër komunat veriore të Kosovës do të mund të mbahen pas tre muajsh minimalisht, nëse ndiqen të gjitha afatet kohore.
Ai ka thënë se si KDI kanë vlerësuar që zgjidhja e duhur për shkuarje në zgjedhje në këto komuna do të ishte dorëheqja e kryetarëve, por që sipas tij, me këtë proces është arritur edhe qëllimi politik i partisë në pushtet dhe kryeministrit Albin Kurti.
Cakolli ka thënë se pas pranimit të peticionit nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i mbetet KQZ-së që të shohë se a janë valide ato nënshkrime dhe a është arritur kuota prej 20 për qind.
Sipas tij, në rast se konstatohet që është arritur ky prag, KQZ-ja do të duhet që ta njoftojë fillimisht kryesuesin e Kuvendit Komunal, kryetarin përkatës të Komunës dhe Ministrinë e Administrimin e Pushtetit Lokal që është arritur ky prag dhe më pas të fillohen procedurat për organizimin e procesit të votimit.