Gazetar: Adrian Kerimi
Ndryshimet kushtetuese mbeten prioritet i Qeverisë teknike, megjithëse realizimi i tyre tashmë nuk varet nga organi ekzekutiv por nga Kuvendi, përkatësisht partitë politike në ligjvënës. Kryeministri teknik, Talat Xhaferi gjatë pranim-dorëzimit të detyrës si kryetar i Qeverisë teknike tha se organi ekzekutiv mbetet i vendosur ndaj nismës së filluar në gusht të vitit kaluar.
“Qëndrojmë si Qeveri ndaj asaj nisme që është filluar që nga viti i kaluar. Tani më nuk varet nga vullneti i Qeverisë, por varet nga komunikimi i subjekteve politike, sigurimi i konsensusit për 2/3 e votave dhe të vazhdon procesi”, tha Talat Xhaferi, Kryeministër teknik.
Për dallim nga deklarata në cilësinë e kryeministrit, Xhaferi në cilësinë e kreut të Kuvendit disa herë kishte deklaruar se mbetet obligimin i Qeverisë, përkatësisht partive të shumicës parlamentare dha atyre të përfaqësuara në Kuvend t’i sigurojnë 80 votat e nevojshme për ndryshimet kushtetuese.
Procedura e ndryshimeve kushtetuese ka ngecur në fazën e debatit të përmbyllur mbi nevojën për ndryshimeve e kushtetuese më 18 gusht të vitit 2023, por votimi për qasje drejt tyre nuk është bërë. Deri në këtë fazë, ligjvënësi nuk është i lidhur me afate dhe seanca mund të vazhdohet edhe pasi të formohet Qeveria e re, në rast se kjo e fundit deri në 30 ditë pas formimin prononcohet se i qëndron propozimit paraprak./Alsat.mk