Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, është emri më serioz që Partia Demokratike e Kosovës po e shqyrton për ta kandiduar për kryetar të Prishtinës, në zgjedhjet që pritet të mbahen në fillim të nëntorit.Vetë Stavileci, në një prononcim për Ekonomia Online, ka konfirmuar gatishmërinë për ta sfiduar Shpend Ahmetin, i cili do të kërkojë dhe një mandat në krye të kryeqytetit.
“Për çfarëdo projekti të rëndësishëm që ka për qëllim një avancim të një gjendjeje, të zgjidhjeve të problemeve të qytetarëve, punë dhe vetëmohim në dobi të mirëqenies së tyre, unë jam i gatshëm që të pranoj”, ka thënë Stavileci, i pyetur nga Ekonomia Online se a do ta pranonte kandidaturën.
“Të ju them të drejtën ka disa vite, ndoshta edhe në zgjedhjet e kaluara një pjesë e jona që jemi të angazhuar politikisht dhe që jemi me bazë nga Prishtina, të lindur, të rritur dhe të shkolluar, e që punojmë në Prishtinë, na ofrohet të themi një mundësi e tillë”, ka shtuar ai.
“Në këtë rast, ne që jemi në politikë asnjëherë nuk i frikësohemi sfidave, as unë.
Bile do të thosha kur është fjala për Prishtinën, edhe më pak; sado që vendime të tilla duhet të formalizohen. Janë organet dhe forumet e ndryshme, të cilat marrin vendime të tilla, por mund të them që në secilin prej projekteve që kemi pasur, dhe kam pasur personalisht deri më sot, kam qenë gjithmonë në shërbim të politikave publike, të cilat janë në radhë të parë për të mirën e qytetarëve dhe për t’i promovuar gjërat e mira… Mendoj që edhe Prishtina ka shumë e shumë nevoja të tilla”.Një burim i mirinformuar nga PDK-ja, i afërt me kryetarin Kadri Veseli, ka konfirmuar për Ekonomia Online se Blerand Stavileci është ndër emrat më seriozë që po shqyrtohen për kreun e Prishtinës.
“Kryetari është shumë i interesuar që PDK-ja të rritet në Prishtinë dhe po shikojmë të gjejmë kandidatin më të mirë. Stavileci ka një popullaritet sidomos te shtresa qytetare dhe te të rinjtë”.
Në PDK ka një hezitim nëse popullaritet i Stavilecit, është dëmtuar pak për shkak të një “skandali të shpikur nga mediet”, vitin e kaluar, kur atij iu botua një fotografi me një vajzë në kafeteri, që nxiti spekulime se ai është ndarë nga gruaja. “Spekulimet” nuk ishin sqaruar asnjëherë nga Stavileci.Dy emrat e tjerë janë ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, dhe Lirak Çelaj, zv.ministër i Drejtësisë dhe kryetar i Degës së PDK-së në Prishtinë. Përkrahësit e Çelajt argumentojnë se kryetari i degës duhet dhe të kandidojë për të udhëhequr kryeqytetin.
E vetmja parti që deri më tash e ka caktuar kandidatin për kryetar të Prishtinës është Lëvizja Vetëvendosje.
Kryetari aktual i Prishtinës, Shpend Ahmeti, publikisht ka paralajmëruar se do të rikandidojë edhe për një mandat.
Kurse nga Lidhja Demokratike e Kosovës, si emra të mundshëm për të garuar për kreun e Prishtinës, po përmenden Arban Abrashi, ministër aktual i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, dhe Sokol Havolli, këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa. Aleanca dhe Nisma pritet të dalin me një kandidat të përbashkët. Kandidatë të mundshëm janë Avni Arifi dhe Gazmend Abrashi.
Biografia e Blerand Stavilecit:
Ditëlindja:
8 mars 1980
Vendlindja:
Prishtinë
Kualifikimi profesional dhe grada shkencore:
Magjistër Shkence i Menaxhmentit dhe Informatikës
Edukimi universitar dhe shkollor:
Universiteti “ILIRIA”
Gjimnazi Matematikor-Natyror “Xhevdet Doda”
Shkolla Fillore “Hasan Prishtina”, Prishtinë
Përvoja institucionale dhe politike:
– Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (prill – dhjetor 2010)
– Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (shkurt 2011 – dhjetor 2014)
– Këshilltar në Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit në Qeverinë e Republikës së Kosovës (janar 2008 – mars 2010)
– Nënkryetar i Komitetit Drejtues të Observatoriumit të Transportit të Evropës Juglindore (SEETO), pranë Komisionit Evropian (qershor 2009 – mars 2010)
– Zëdhënës i Partisë Demokratike të Kosovës (që nga janari 2009)
Përvoja akademike:
Ligjërues i lëndëve mësimore të Menaxhmentit dhe Informatikës në Universitetin “ILIRIA”.
Komunikon me shkrim dhe me gojë në gjuhët angleze, franceze, italiane dhe serbokroate.
Ka kryer kursin intensiv të gjuhës dhe të civilizimit francez në Universitetin e Sorbonës.