Bulliqi mbetet i bindur se Kosova humb 8200 hektarë me Demarkacion

Deputeti i LDK-së, Shpejtim Bulliqi, në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, duke u shprehur i bindur se Kosova humb 8200 hektarë me demarkacionin e tanishëm me Malin e zi, ka thënë se në fillim të punës Komisioni për Matje të territorit të Kosovës kishte 18 anëtarë, ndërsa tani, sipas tij, i kanë mbetur vetëm nëntë.

“Komisioni në fillim përbëhej prej 18 anëtarëve, nga të cilët, me krejt këto zhvillimet e fundit, tani ka mbetur me nëntë anëtarë. Nuk dua të merrem me këtë çështje, por Qeveria duhet ta vlerësojë legjitimitetin e këtij komisioni”, ka thënë Bulliqi.

Duke folur për prezantimin e sotëm të fakteve të reja për demarkacionin me Malin e Zi, Bulliqi ka thënë se faktet e tij dhe kolegëve të tij kanë hasur në vesh të shurdhër.

Gjeografi Tomorr Qela, zëdhënës i Komisionit për Matje, i kishte bërë thirrje Bulliqit dhe deputetëve tjerë të pavarur që faktet t’i prezantojnë në institucione dhe jo në salla të kafeneve e restoranteve.

“E dëgjova në mbrëmje deklaratën e tij, ne për më se dy vite kemi punuar në këtë çështje dhe deri tani kemi sjellë shumë fakte, të cilat kanë hasur në vesh të shurdhër. Fatkeqësisht institucionet kanë treguar një jo gadishmëri për t’u përballur me faktet tona. Sot kemi paraqitur rezultatet e fundit rreth ndryshimeve që janë bërë në demarkacionin me Malin e Zi”, ka thënë Bulliqi.

Bulliqi ka thënë se historikisht që prej vitit 1945-46 pika e Çakorrit dhe Qafa e Kullës ka qenë pika kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi.

“E dimë këtë problematik dhe për shkak të kësaj ne jemi munduar që t’i bindim se e kanë bërë punën keq. Kosova humb 82 kilometra katror nëse ratifikohet marrëveshja e tanishme”, ka thënë veç të tjerash Bulliqi.

© KOHA.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme