Gazetar: Bashkim Sulejmani
Vazhdojnë tensionet në Myftininë e Tetovës. Myftiu i ri i zgjedhur nga BFI Selver Xhemaili, sot tentoi që të futet në zyrat e Myftinisë por i njëjti hasi në dyer të mbyllura dhe rezistencë nga ana e Myftiut në largim Qani Nesimi, shkruan Alsat.
Pas tensionimit, para myftinisë u paraqit edhe policia duke kërkuar nga qytetarët që të shpërndahen ndërsa ka marrë deklaratë edhe nga kreu i ri i myftinisë Selver Xhemaili dhe ai në largim Qani Nesimi.
Përplasjet në Myftininë e Tetovës, zanafillën e tyre e kanë në nëntor të vitit të shkuar, kur pas mbledhjes së 9 nëntorit, Rijaseti i Shkupit vendos për largimin e myftiut Qani Nesimi.
Sipas BFI-së, ky i fundit është ankuar ndaj këtij vendimi në gjyqin Administrativ por ankesat e tij janë refuzuar. Edhe përkundër refuzimit të ankesave, Qani Nesimi nuk ka pranuar këtë vendim të BFI-së, duke e cilësuar si jo kushtetues, dhe ka vazhduar të mbaj postin e myftiut të Tetovës.
Në njoftimin e BFI-së thuhet se Nesimi u shkarkua për aktiviteteve destruktive.
“Shkarkimi i Qani Nesimit është bërë nga shkaku i aktivitetit të tij destruktiv.
– prej momentit kur i humbi zgjedhjet më 09 Nëntor 2020 me rezultat 18 me 3, nuk arriti ta tejkaloj shqetësimin e humbjes dhe menjëherë filloi distancimin me organet më të larta të BFI;
– mosraportimi dhe moskoordinimi me organet më të larta në sferën e denacionalizimit të pronave që rezultoi me humbjen e disa ndërtesave te Arabati dhe 12.000 m2 si dhe shatërvani të cilat tashmë në kadastër janë prona të Teteksit dhe vazhdon me të njëjtin qëndrim;
– fyerja e organeve më të larta publikisht me fjalët më të ndyta dhe shpifjet e paargumentuara rëndë thyen Kushtetutën e BFI dhe Normativën e saj”, thonë nga Bashkësia Fetare Islame.
Nesimi nga ana tjetër akuzon BFI-në, se shkarkimin e tij e kanë bërë në mënyrë jo kushtetuese, andaj dhe nuk e pranon këtë vendim të BFI-së.
“Myftinia e BFI-së dega Tetovë, unanimisht sjell vendim se nuk njeh dhe nuk pranon vendimin jo ligjor dhen jo kushtetues për të emërtuarin e ashtuquajtur UD myfti”, thuhet në reagim.
BFI-ja ditë më parë, ia hoqi edhe të drejtën e nënshkrimit myftiut të Tetovës. Sipas informatave të Alsat brenda BFI-së, rasti pritet të zgjidhet shpejtë./ Alsat.mk