Gazetare: Fatlume Dervishi
Dy ditë pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në shoqërinë e liderëve të Lidhjes Evropiane për Ndryshim, kreu i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari sot ishte në takim te kreu i LSDM-së Dimitar Kovaçevski, shkruan Alsat.
Në publikimin e tij në rrjetet sociale Kovaçevski shkruan për takimin.
“… biseduam për realizimin e programit të Qeverisë, për dinamikën e punës në periudhën e ardhshme si dhe për politikat të cilat nënkuptojnë plotësimin e qëllimit strategjik të vendit për anëtarësim në BE dhe partneritetin me SHBA-të”, tha Dimitar Kovaçevski, kryetar i LSDM-së.
Ky takim vjen pikërisht në momentin kur opozita shqiptare flet për një kandidat të përbashkët për president në zgjedhjet e prillit, për të cilin paralajmëroi edhe kryeministri Kurti në komunikatën e tij pas takimit me Taravarin, Mexhitin, Gashin dhe Kasamin. Madje liderët e LEN nuk hezitojnë të pranojnë se ja kanë ofruar Taravarit edhe opsionin e kandidimit. Këtë e pranoi edhe kreu i Alternativës Afrim Gashi në intervistë për Alsat.
“Nëse z. Taravari ju bashkohet, do të kishit qenë të gatshëm t’ja leni atij pozitën e kandidatit për president? Po, pse jo! Si formë kompenzimi ndoshta për bashkëpunimin? Ne jemi të gatshëm për çfarëdo opsioni. E kemi folur në forma të ndryshme. Për hirë të së vërtetës kjo çështje i mbetet z. Taravari ta diskutojë me partinë e tij. Ne këtë e kemi analizuar për secilin prej nesh, për plot kandidatura dhe emra, në funksion të rritjes së votës dhe unifikimit të votës”, u shpreh Afrim Gashi, kryetar i Alternativës.
Por Taravari shkurt në një prononcim për MIA-n ka deklaruar se nuk është i interesuar.
“Opozita shqiptare ka biseduar me mua që unë të jem kandidat për president por unë nuk jam i interesuar”, theksoi Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
ASH-ja vazhdimisht ka thënë se vendimin final për mënyrën e veprimit në periudhën parazgjedhore do ta marrë në mbledhjen e Kuvendit Qendror i cili nuk është caktuar akoma. / Alsat.mk