Gazetar: Avni Tahiri
Në moment të fundit Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se lejet e vozitjes, nga 13 shkurti do të jenë të pa vlefshme edhe për përdorim të brendshëm. Qytetaret shprehen të revoltuar. Thonë se duhet të gjejnë alternativa të tjera për të kryer punët e përditshme, ndërsa një pjesë paralajmëruan padi ndaj shtetit.
“Nuk vozis sepse nuk kam të drejtë të vozis, 500 euro është dënimi. Sot u fotografove për të re? Jo nuk munda sepse kishte radhë të gjata dhe tani dy muaj pa punë…Për biçikletë nuk me duhet leje por vetëm kondicion”, tha një qytetar.
“Barra bie mbi shtetin e jo mbi qytetaret, thanë që nëse ka problem duhet të padisim shtetin sepse kemi të drejtë dhe çfarë të bëjmë tani?”, pyet një qytetar.
“Për fat ditën e fundit arrita ta marr. Unë nuk erdha në kohë ta marr dhe nuk e dija që do të jetë problematike që të vozitet pa lejen e re. Sigurisht që nuk u deshtë të bëhet kaq problem i madh por çka të bëjmë nuk është problem i vetëm në shtetin tonë, jemi mësuar”, tha një qytetare.
Revolta e vozitësve është e madhe, jo vetëm në Shkup, por edhe në Tetovë dhe qytete të tjera të vendit.
“Unë lejen nuk e kam ndërruar. Nuk duhet të ndodh kjo po tek ne normal është çdo gjë e keqe. Nga nesër nuk dalim në punë dhe pikë. Nuk e ka hallin tonë askush, duhet të na ndihmoj shteti”, deklaroi një vozitës.
“Kush e ka ndërruar e ka ndërruar unë për vete po. Është keq normal pa punë nuk rrihet por Ligji Ligj, duhet të ndërrohet dhe aq”, tha një tjetër vozitës.
“Jo jo s’munda të kryejë punë, e dyta herë që vij. Tash më thonë eja që në shtatë në mëngjes. Unë kam 74 vite nga këmbët vuaj s’mund të rri në këmbë”, nënvizoi një vozitës.
“Prej në shtat në mëngjes pres, mezi mbarova punë, i fundit tash dola. Kam pritur pesë orë. Duhet të ketë rregull sportele më shumë, shiheni si është. Ka njerëz të sëmurë me fëmijë nuk mund të durojnë”, theksoi një tjetër vozitës.
“Duhet të vazhdohet afati deri sa ti ndërrojmë dokumentet. Shteti s`ka punuar si duhet, andaj duhet ta bëj atë punë të jep afat”, u shpreh një vozitës.
Ministria e Punëve të Brendshme përmes një komunikate mbrëmë vonë apeloi qytetarët që të mos vozisin nëse nuk kanë leje me emrin e ri të shtetit dhe se në rast të ndonjë aksidenti, pasojat e dëmit do ti mbartin vetë shoferët që kanë vozitur me leje me emrin e vjetër të shtetit. Ky njoftim vjen edhe përkundër faktit se paraprakisht gjatë gjithë kohës theksohej se lejet do të jenë vlefshme për përdorim të brendshëm. Madje në intervistën në Alsat pak ditë më parë, ministri teknik i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski këmbëngulte se qytetarët mund t’i përdorin lejet e vozitjes me emrin e vjetër të shtetit që kanë afat, brenda territorit të vendit edhe pas 13 shkurtit dhe nuk do të dënohen për këtë. /Alsat.mk