Kryeministri teknik vazhdon agjendën promovuese edhe pas shpalljes së zgjedhjeve

Gazetar: Lluka Andreev

Pavarësisht se një ditë më parë u shpallën zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare, kryeministri teknik Talat Xhaferi vazhdon me agjendë të ngjeshur promovuese, shkruan Alsat.

Ai sot në Komunën e Likovës mori pjesë në inspektimin e kopshtit të ri në Mateç, në rrugën e rikonstruktuar lokale në Likovë, si dhe vizitoi Shtëpinë e Kulturës.

Në kuadër të vizitave ai u ndal edhe në shkollën në fshatin Llojan, ku është paralajmëruar se së shpejti do të fillojë ndërtimi i një salle sportive.

Prezencën në ngjarjet promovuese Xhaferi e arsyetoi duke thënë se dispozita e Kodit Zgjedhor vlen 20 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.

Në Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit thuhet se nuk mund të fillohet ndërtimi i rrugëve, ujësjellësve, largpërçuesve, kanalizimeve, shkollave, kopshteve dhe objekteve të tjera, me mjete nga buxheti, përveç nëse paraprakisht janë siguruar mjete nga buxheti për këtë qëllim respektivisht bëhet fjalë për zbatimin e programi të miratuar në bazë të ligjit për vitin aktual.

Disa nga ish anëtarët e Komisionit kundër korrupsionit thonë se funksionarët kanë taktizuar me ligjin dhe kanë caktuar aktivitete promovuese. Këto janë konkluzionet e tyre edhe nga ciklet e kaluara zgjedhore.

“Ndërtimi apo rindërtimi është në kuadër të procesit zgjedhor, fondet sigurohen nga Buxheti dhe planifikohen në programe përkatëse, por është e diskutueshme pse ndërtimi fillon pikërisht në periudhën zgjedhore… Ky lloj respektimi “parimor” i Kodit Zgjedhor tregon se gjatë planifikimit këto veprimtari kryhen nga pozicioni i pushtetit që e mbart funksioni”, thuhet në raportin special për abuzimet e konstatuara në financimin e fushatës zgjedhore 2021.

Derisa Xhaferi fotografohej në rajonin e Likovës, zëvendëskryeministrja për Qeverisje të Mirë, Sllavica Grkovska, përmes një letre të hapur u tha kolegëve të saj politikanë se me shpalljen e zgjedhjeve dhe fillimin e periudhës parazgjedhore është shumë e rëndësishme që çdo pjesëmarrës në këtë proces vazhdimisht t’i ketë parasysh ligjet, por dhe parimet etike.

“Jo vetëm të respektojmë dispozitat e Kodit zgjedhor dhe ligjeve të tjera, por të vendosim standarde më të larta etike përpara vetes. Dhe kështu ne kontribuojmë drejtpërdrejt që shteti të ecë përpara. Secili me shembullin e tij, secili me pjesën e tij të përgjegjësisë”, tha Slavica Grkovska – Zëvendëskryeministre për qeverisje të mirë.

Tani për tani nuk dihet nëse ekipi i ri kundër korrupsionit do ta shqyrtojë praninë e Xhaferit në evente promovuese. Paraardhësit e tyre së fundi kanë bërë të ditur se Xhaferi ka shkelur Kushtetutën, pasi si kryetar i Kuvendit është emëruar edhe në post të lartë partiak. Ai ka paguar vetëm gjobë për shkak të konfliktit të interesit./ Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme