Në kohën e okupimit të viteve ’90, publicisti Veton Surroi, pavarësinë e Kosovës nuk e kishte as në mendje. Ai më shumë ishte angazhuar për rikthimin e një autonomie brenda Jugosllavisë.
Qëndrimin e Surroit kundër pavarësisë së Kosovës, e kishte dokumentuar edhe ambasadori i fundit i Amerikës në Jugosllavi, Warren Zimmermann, në librin e tij “Origjina e një katastrofe”, transmeton Republika.info.
Më 25 shkurt 1990, zëvendëssekretari Eagleburger kishte shkuar për një vizitë dyditore në Jugosllavi. Ambasadori amerikan kujton se në takimin me Eagleburgerin, grupi nga Kosova ishte impresiv dhe i artikuluar.
Sipas tij, Ibrahim Rugova, udhëheqësi i shqiptarëve të Kosovës, për të dalë nga kontrolli i Serbisë favorizonte dialogun me qeverinë federale.
Në librin e tij, ambasadori amerikan kujton edhe fjalët e Surroit në këtë takim. “Veton Surroi, një shqiptar i ri me një anglishte perfekt, tha që populli i Kosovës nuk pranon regjimin e Serbisë, por po ashtu ata nuk dëshirojnë pavarësi”, kujton Zimmermann në librin e tij, transmeton Republika.info.
Por diskursi i Surroit ndryshoi në mënyre fondamentale. Pas luftës, ai u bë pjesë e proceseve të një ideje në të cilën asnjëherë nuk kishte besuar – në procesin e pavarësimit të Kosovës.
Si anëtar i Grupit të Unitetit, bashkë me pjesëtarët tjerë Surroi u bë armiku më i madh i Lëvizjes Vetëvendosje, e udhëhequr në atë kohë nga Albin Kurti. Por edhe ky qëndrim i tij ndryshoi shumë shpejt. Sot Surroi llogaritet që ka një influencë shumë të madhe në radikalizmin e opozitës, sidomos të Vetëvendosjes.
Nga autonomia brenda Jugosllavisë, Surroi tash ka rritur dozën e kërkesave. Bashkë me Kurtin ai tash po e kërkon bashkimin kombëtar.