Ministri i jashtëm serb Ivica Daçiq tha se rasti i liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, është politizuar. Kryediplomati serb tha sot se “ndoshta” Haradinaj nuk do të ekstradohet nga Franca në Serbi.
Daçiç, gjatë kremtimit të përvjetorit të kryengritjes Toplicës në Prokupël, u tha gazetarëve se, nëse aplikohet ligji ndërkombëtar, Haradinaj do duhej të ekstradohej në Serbi.
Por, sipas Daçiqit, kjo nuk ka gjasa të ndodhë sepse rasti i Haradinajt është politizuar.
“Ju e shihni se një tjetër dëshmitar për rastin Haradinaj u vra në Kosovë, dhe unë nuk e di se sa dëshmitarë të tjerë ka”, citohet të ketë thënë Daçiq nga mediumi serb Novosti.
Ai ka thënë se Ramush Haradinaj për autoritetet serbe do të jetë gjithmonë një kriminel lufte, pavarësisht nëse ai do të ekstradohet në Serbi apo jo, dhe se gjithmonë do të ndiqet penalisht për krimet që ka kryer.