Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë (MASHT) ka vendosur që Kosova të jetë sërish pjesë e testit “PISA 2018”.
MASHT tashmë ka aplikuar që për të dytën herë t’i futet kësaj sfide, ndonëse në pjesëmarrjen e parë Kosova u rendit ndër vendet e fundit, shkruan sot Koha Ditore.
Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA) është një studim ndërkombëtar i arsimit, që vlerëson aftësitë e nxënësve 15-vjeçar në lexim, matematikë dhe shkencë. Në të tre këta lëmenj nxënësit kosovarë patën treguar arritshmëri të ulët në testin “PISA 2015”.
Ministri i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka bërë të ditur për gazetën se e kanë njoftuar organizatën që merret me organizmin e këtij testi se Kosova do të marrë pjesë në “PISA 2018”.
Po ashtu ka thënë se do të ndërmerren disa masa në mënyrë që vitin e ardhëm Kosova të hyjë e përgatitur në këtë test.